Njohës të çështjeve demografike, theksojnë se dendësia e popullatës kryesisht është rritur në viset urbane, pasi sipas tyre, pas përfundimit të luftës shumë qytetarë janë zhvendosur nga viset rurale.
Demografi Rifat Blaku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kosova ka dendësi më të madhe sesa mesatarja e vendeve në rajon, por edhe në Evropë.
“Rritja e dendësisë sidomos në disa rajone, është mosrespektim i një plani nacional hapësinor dhe kemi mbipopullim në qendrat e mëdha të Kosovës, sidomos në Prishtinë, Mitrovicë, Prizren, Gjakovë, Pejë dhe Gjilan si zonat gravituese nga zonat rurale” thotë Blaku.
Edhe profesori i Gjeografisë në Universitetin e Prishtinës, Fitim Humolli, për Radion Evropa e Lirë shprehet se numri i banorëve në Kosovë është ekuivalent më shtrirjen dhe territorin e saj, por ka një përqendrim të theksuar të dendësisë së popullsisë në disa qendra të Kosovës, konkretisht në kryeqytet, në Prishtinë.
“Kjo i shkakton probleme zhvillimit të zonave periferike, mos të them zonave rurale, dhe shkakton një koncentrim i cili është vështirë të “kapërdihet” në kuptimin ekonomik dhe social”, thotë Humolli.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave, numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë, vitin e kaluar, ka qenë rreth 1.8 milion, kurse vetëm në Prishtinë, sipas të dhënave zyrtare, thuhet se jetojnë mbi 211 mijë banorë.
Po, jo zyrtarisht thuhet se Prishtina ka mbi 400 mijë banorë, pasi që llogaritet se një pjesë e popullatës ka banime të përkohshme edhe në pjesë të tjera të Kosovës.
Sipas shënimeve zyrtare të publikuara nga administrata komunale, vlerësohet se gjatë ditës në Prishtinë lëvizin mbi 500 mijë qytetarë.
Vetëm gjatë vitit 2015, sipas të dhënave zyrtare, janë shënuar rreth 9 mijë raste të lëvizjeve të brendshme të popullsisë, nga një komunë në tjetrën.
Kjo zhvendosje, sipas ekspertëve, ka ndodhur me vullnetin e qytetarëve, në kërkim të një jete më të mirë.
Profesori Rifat Blaku, thotë se mungesa e kushteve dhe infrastrukturës nëpër viset rurale ka bërë që qytetet të jenë më atraktive.
“Mungesa e infrastrukturës, shkollës, ambulancave, pastaj mundësitë e vogla për punësim nëpër fshatra, e bëjnë qytetin më atraktiv, më tërheqës. Si rezultat i një “eksodi” të pakontrolluar nga fshati”, thekson Blaku.
Shpërngulja e popullatës së Kosovës nga zonat rurale në ato urbane “ka krijuar probleme, pa fajin e tyre, në fusha të ndryshme” thotë në anën tjetër Fitim Humolli.
“Mungesa e politikave të mirëfillta rajonale dhe lokale, ka bërë që qytetarët me të drejtë t’ua mësyjnë territoreve më atraktive”.
“Kjo ka shkaktuar shumë probleme, sepse një pjesë e madhe e popullsisë e ardhur nga zonat periferike, nuk mund t’i përshtaten ambienteve të reja, të cilat vetëm janë parë në Kosovë” shprehet Humolli.
Ndryshe, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, përqindja e popullsisë që jetonte në zonat rurale në vitin 2011 ishte 61, 7 për qind, kurse në zonat urbane 38. 3 për qind.