Zbulime të reja rreth Coronavrusit

Prishtinë | 18 Gus 2020 | 19:05 | Nga Ekonomia Online

Studiuesit kanë zbuluar se një mutacion i ri i koronavirusit që po qarkullon tani paraqitet disa herë më infektiv sesa i pari, por jo aq i rrezikshëm për jetën e njerëzve që ai prek.

Koronavirusi i ri duket se ka pësuar një deformim gjenetik që e bën atë më pak vdekjeprurës për pacientët e prekur në Evropë, në Amerikën e Veriut dhe në disa pjesë të Azisë.

Eksperti i njohur dhe njëherësh presidenti i Shoqatës Ndërkombëtare për Sëmundjet Infektive, Paul Tambyah, thotë se mutacioni “D614G” duket se po përhapet në botë me një shkallë më të lartë infeksioni por pa paraqitur të njëjtat karakteristika të rrezikshme te shëndeti i njeriut.

“Përhapja e shpejtë dhe ulja e shkallës së mortalitetit është faktikisht tendencë e shumë viruseve pasi ata hyjnë në një popullatë. Është në interesin e virusit që të infektojë më shumë njerëz por të mos i vrasë, sepse virusi ka nevojë për një trup shoqërues që i ushqen dhe strehon. Si të thuash, nuk mund ta shkatërrosh shtëpinë ku jeton dhe burimin ushqimor.”

Prezenca e këtij mutacioni të ri të koronavirusit u konfirmua të dielën në Malajzi në dy vatra infeksioni tashmë të izoluara dhe të raportuara rishtas nga shteti juglindor i Azisë.

Forma e re gjenetike është zbuluar që në muajin shkurt dhe ka qarkulluar nga Evropa drejt dy kontinenteve amerikane.

“Në javët e fundit, po të konsultosh bazën informative të publikuar nga OBSH-ja, sheh se ky lloj variacioni, apo mutacioni, ka pushtuar gjerësisht Evropën. Dhe më interesantja, edhe pse nuk jemi të sigurt, është se raporti i vdekjeve në Evropë është ulur ndjeshëm, krahasuar me Amerikën e Veriut, me Brazilin apo pjesët e tjera të botës.”

Shkencëtarët mendojnë se duke qenë gati 10 herë më infektiv sesa koronavirusi i shfaqur fillimisht në Kinë, ky mutacion gjenetik i Covidit të ri mund të jetë më rezistent ndaj vaksinave që janë aktualisht në testim.

Vaksina e parë antiCovid në botë u miratua javën e kaluar nga Rusia, ndërsa vetëm një ditë më parë, Kina aprovoi patentën për një program alternativ vaksinimi për njerëzit e shëndetshëm.

Vaksina e konceptuar që në muajin mars nga një kompani bioteknologjie vendëse ndërthur gjurmë të virusit normal të gripit me struktura gjenetikisht të ndryshuara të koronavirusit që shtyjnë organizmin e njeriut të prodhojë antitrupa shtesë për të paralizuar receptorët e virusit.

Përveç vaksinave të Rusisë dhe Kinës, në gjithë botën po studiohen mbi 150 zgjidhje të ndryshme për të imunizuar planetin nga një sëmundje që deri më sot ka infektuar rreth 22 milionë njerëz dhe u ka marrë jetën më shumë se 770 mijë të tjerëve.

Të ngjashme