Mes interesimit të madh të klubeve evropiane për transferimin e Milot Rashicës këtë verë, kontrata e kosovarit me Werder Bremenin ka qenë nën llupën e medieve dhe së fundi është zbuluar një detaj që mund të ndikojë që kosovarit t’i ulet çmimi.
Gazeta gjermane Bild raporton se çmimi i klauzolës për shkëputjen e kontratës së Milot Rashicës me Werder Bremenin do të bjerë nga 38 milionë në 15 milionë euro nëse klubi gjerman bie nga Bundesliga.
Momentalisht, Werder Bremenin është në pozitën e parafundit, të 17-të, në tabelën e Bundesligës dhe nëse nuk ngrihet kur të rinisë kampionati, atëherë klubi do të bjerë nga liga elitare e futbollit në Gjermani.
Bremeni i ka fituar vetëm 18 pikë nga 24 ndeshjet e zhvilluara deri më tani dhe do të shpresojë që të paktën të ngrihen në pozitën e 16-të, ku do të luante në play-offs dhe s’do të binte automatikisht nga liga, ose më lart për t’i shpëtuar plotësisht zonës së rrezikut.
E përderisa tifozët e Bremenit shpresojnë që klubi i tyre të shfaqë formë më të mirë pasi të rinis liga, e cila është ende e pezulluar shkaku i koronavirusit, tifozët e klubeve që po e kërkojnë Rashicën shpresojnë që Bremeni ta vazhdojë krizën deri në fund.
Në këtë mënyrë, klubet e interesuara për Rashicën do ta kenë më të lehtë ta transferojnë kosovarin, pasi që ai do të jetë në dispozicion për ta vetëm për 15 milionë euro. Ky është një lajm i mirë veçanërisht për klube tani pas krizës së koronavirusi, që u ka sjellë atyre edhe dëme financiare.
Ndër klubet më të interesuara për Rashicën janë edhe Leipzigu dhe Liverpooli. Liverpooli kishte shfrytëzuar një klauzolë të ngjashme me këtë të Rashicës kur e kishte transferuar Xherdan Shaqirin nga Stoke City.