Bahreini ka zbuluar fushën më të madhe të naftës në gati 90 vjet. Pasuritë natyrore që fshihen aty i bëjnë të duken të vogla rezervat aktuale të mbretërisë së gjirit, thuhet në njoftimin zyrtar të saj ku shpjegohet se fusha e re gjendet në pellgun e Khaleej al-Bahrain-it, pranë brigjeve perëndimore të vendit.
Analizat fillestare dëshmojnë se zbulimi është në nivele të rëndësishme dhe i aftë të mbështetëse nxjerrjen afatgjatë të naftës bruto dhe gazit natyror, deklaroi ministri i naftës, Sheik Mohamed bin Khalifa. Bahreini është aktualisht një shtet pa peshë të ndjeshme në sektorin e naftës; Ai renditet i 57-ti në listën e prodhuesve me të mëdhenj nga Administrata e Informacionit të Energjisë në ShBA.
Rreth 45,000 fuçi naftë nxirren në ditë nga ajo që njihet si fusha e Bahreinit, sipas të dhënave të ofruara nga Bloomberg. Kompania e konsultimit DeGolyer and MacNaughton (Demac) ka bashkëpunuar me zyrtarët vendas për të bërë një vlerësim sa të plotë të depozitave të Basenit të Khaleej al-Bahrain.
Një zëdhënës i saj tha se Demac ka verifikuar rezervuarin dhe të dhënat e testeve, ka bërë një vlerësim volumetrik, ka parë potencialin e nxjerrjes dhe ka siguruar raporte që dokumentojnë perspektiven e burimeve. “Ky – shtoi zëdhënësi – është një projekt që çel shtigje të reja për industrinë e naftës”.
Vitin e kaluar, komiteti vendas i burimeve natyrore dhe sigurisë ekonomike vendosi zgjerimin e aktiviteteve eksploruese në Perëndim të Bahreinit, çka bëri që ekspertët të binin në gjurmët e fushës gjigande naftëmbajtëse në tremujorin e fundit të 2017-tës, ndërsa detajet po bëhen publike vetëm tani.