Zbulohet marrëveshja Meta-Veliaj për Bashkinë e Tiranës

Prishtinë | 28 Kor 2017 | 12:23 | Nga

Dy ditë më parë mediat raportuan se dy nga këshilltarët e LSI ishin bërë pjesë e procesit të votimit duke mbështetur propozimin e Erion Veliajt për rritjen e çmimit të ujit në Tiranë.

Menjëherë filloi teatri politik, PD akuzoi LSI, kjo iu kundërpërgjigj, askush nuk po merret më me rritjen e çmimit të ujit, por i gjithë diskutimi është kush e kishte fajin dhe kush është përgjegjësi.

Pa asnjë diskutim përgjegjësinë e ka LSI si forcë bashkëqeverisëse në Bashkinë e Tiranës. E duke e ditur se opinioni publik e lexon, lëvizja për të mbuluar atë që ndodhi nxjerr edhe më në dritë dhe zbardh detajet e marrëveshjes Meta-Veliaj për Bashkinë e Tiranës.

Detajet

Me daljen e LSI në opozitë në Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj humbiste shumicën, një shumicë që i ndikonte fort në punën e tij, pasi do të ishte i kushtëzuar me vendimet e Këshillit, me miratimin e buxhetit dhe të tjera problematika.

Veliaj njihet për miqësinë e tij të thellë me Ilir Metën dhe menjëherë lëvizi për të bërë një zgjidhje përfundimtare për të pasur qetësi dhe garanci të plota, me një mazhorancë të sigurt në Këshillin Bashkiak të Tiranës.

Burime të mirëinformuara, i thanë CityNews se Veliaj menjëherë ka kontaktuar Ilir Metën, duke i kërkuar zgjidhje dhe mbështetje për veprimet e tij në Bashkinë e Tiranës.

I ndodhur përballë një problematike dhe vështirësie që lidhet me faktin se LSI nuk mund të sillej në Bashkinë e Tiranës si pjesë e pushtetit dhe në opozitë me qeverinë, Meta gjen zgjidhjen.

Skenari është i qartë, Meta urdhëron dy nga besnikët e tij, të kalojnë përfundimisht me Erion Veliajn. Kalimi i tyre do t’ia jepte shumicën Veliajt, por prapë për të siguruar mazhorancën, për çdo vendim do t’i duhej ajo marrëveshje.

Pra për çdo votë me shumicë prej 31 këshilltarësh, Veliaj duhet t’i drejtohet sërish Ilir Metës edhe pse formalisht dy besnikët e Presidentit të Republikës kanë kaluar me PS. Kjo lëvizje dhe ky pazar ka zgjidhur përfundimisht sikletin e Metës dhe Kryemadhit.

Pazari i Veliajt me ta është i mbyllur. Kryebashkiaku i Tiranës siguron shumicën, në vazhdim ushtarët e Metës për çdo vendim do të konsultohen me Kryemadhin dhe nga ana tjetër Erion Veliaj do të ruajë njerëzit e Metës në administratë, por edhe do të shpërndajë tendera dhe të firmosë leje sipas nevojave që do të kenë Presidenti Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme