Të shtënat me armë në hapësira publike e private në Kosovë janë dukuri e shpeshtë, të cilat përveç se janë të kundërligjshme, shumë herë janë edhe të rrezikshme.
Një rast i tillë që dyshohet se kishte ndodhur në fshatin Jabllanicë të Gjakovës është zbuluar së fundmi nga Policia, pas sekuestrimit të telefonit të një qytetari të dyshuar lidhur me një rast tjetër. Pamjet që siguruan u bënë ‘sebep’ që të identifikohet i dyshuari që kishte gjuajtur me armë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për H.Z., i cili kishte shtënë me armë zjarri nga dritarja e një ode, duke shkaktuar kështu rrezik për banorët e shtëpisë, por edhe qytetarët e tjerë përreth.
Ndonëse i dyshuari u zbulua, Policia s’ka pasur mundësi ta arrestojë pasi i njëjti ndodhet jashtë vendit, ku edhe jeton.
Me t’u përfunduar procedurat policore lidhur me ngjarjen, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, teksa veprimet e tjera do të ndërmerren posa të sigurohet prezenca e të dyshuarit, i cili është futur në listën e personave të kërkuar.