Astronomët detektuan për herë të parë avull uji në atmosferën e një planeti që ndodhet në “zonën e banueshme” të yllit të tij, një etapë e re në kërkimin e shenjave të jetës përtej sistemit diellor.
Për këtë perlë të rrallë, shumë interesante, astronomët dinë ende shumë pak gjëra.
Por ajo që ata kanë zbuluar është shumë premtuese dhe e vendos këtë planet shumë të largët, që ndodhet më shumë se një milion miliardë kilometra larg Tokës, në rangun e kandidatëve më të mirë për kërkimin e shenjave të jetës jashtëtokësore.
“Të gjesh ujë në një botë potencialisht të banueshme, përveç Tokës, është jashtëzakonisht emocionuese dhe kjo na afron me përgjigjet ndaj pyetjes thelbësore. A është Toka unike?”, thotë Angelos Tsiaras, i Universitetit College London dhe bashkautor i këtij studimi të publikuar në revistën shkencore “Nature Astronomy”, transmeton atsh raportimet.
Për më tepër ky planet ndodhet në zonën e banueshme të yllit të tij, që do të thotë as shumë afër dhe as shumë larg nga burimi i nxehtësisë, por pikërisht aty ku temperatura i mundëson ujit të qëndrojë në gjendje të lëngshme dhe ku jeta, ashtu sikurse e njohim, të mund të zhvillohet. Një temperaturë e ngjashme me atë të Tokës.