Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për çështje të jashtme, Peter Stano, ka reaguar pas kritikave të presidentit Hashim Thaçi në drejtim të kryediplomatit sllovak, Miroslav Lajçak, i cili pritet të jetë përfaqësues i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.
Ai përmes një postimi në Twitter ka thënë se është i befasuar që sheh një qëndrim të tillë, pasi sipas tij, ende asnjë përzgjedhje nuk është bërë.
“I befasuar të shoh një qëndrim të tillë të pa saktë. Procedurat brenda BE-së janë duke vazhduar, nuk është marrë ende asnjë vendim. Asnjë përzgjedhje s’është bërë apo publikuar. Fillimisht procesi duhet të kompletohet, dhe do të tregojmë pastaj zyrtarisht”, ka shkruar Stano.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili haptas ishte kundër emërimit të tij, ka reaguar duke “e uruar” e duke përkujtuar se ai është kundër Kosovës së pavarur.
“BE-ja zyrtarisht emëroi një të Dërguar Special për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. E uroj për postin e mirë që mori. Por misioni i tij i ri është i destinuar të dështojë për shkak të punës së tij të mëhershme për të ndaluar Sllovakinë ta njohë Kosovën dhe votimin kundër ulëses së Kosovës në UNESCO”, ka shkruar Thaçi.