“Procesi zgjedhor është ende në progres dhe ankesat janë duke u zhvilluar, nuk na takon neve të komentojmë. Çdo pretendim i parregullsisë zgjedhore duhet t’u drejtohet organeve përkatëse”, ka thënë Zëdhënësi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Peter Stano për Albanian Post, kur është pyetur për ankesat e komuniteteve për Listën Serbe e cila u ka siguruar vota personave të caktuar nga parti të komuniteteve të tjera – që më pas të njëjtit të futen në parlament të Kosovës dhe të kontrollohen nga ta.
Për gjithë procesin zgjedhor në Kosovë, Stano ka thënë se do ta hartojnë një raport i cili do të publikohet muajin tjetër.
“Misioni Zgjedhor i Ekspertëve të BE-së pritet të lëshojë raportin e tij mbi procesin e përgjithshëm zgjedhor në muajin mars”, tha Stano.
Ai shtoi se BE-ja ka kërkuar përmes ekspertëve të saj reformë në legjislacionin zgjedhor.
“BE ka avokuar për një kohë të gjatë për një reformë gjithëpërfshirëse të legjislacionit zgjedhor në përputhje me rekomandimet e kaluara të Misionit Zgjedhor të Ekspertëve të BE-së”.
Ndërkohë të martën, Prokuroria e Shtetit në Kosovë ka nisur hetimet ndaj kandidates për deputete të komunitet boshnjak, Adriana Hoxhiq, e cila ka arritur t’i sigurojë rreth 6400 vota në zgjedhjet e 14 shkurtit në komunat ku s’jeton asnjë boshnjakë i Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar koordinatorja nacionale e zgjedhjeve nga Prokuroria e Shtetit, Laura Pula, e cila tha se ky organ i akuzës është duke i marrë të gjitha veprimet lidhur me këtë rast.
“Nuk mundemi tregu për rrjedhën e procedurës, sepse mund të na prishen hetimet”, tha Pula.
Kryetarja e Listës së Bashkimit Socialdemokrat, nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, pati thënë për Albanian Post se këtij qëllimi ia kanë arritur, pasi disa kandidatë të komuniteteve kanë marrë vota më shumë nga serbët sesa nga komuniteti i tyre.
Lista Serbe për vete ka marrë tetë mijë vota më pak se zgjedhjet e kaluara, por Balje thotë se ato vota i kanë shpërndarë te kandidatja për deputete nga komuniteti boshnjak, Adriana Hoxhiq, te Iniciativa e re e komunitetit rom e udhëhequr nga Gazmend Salivevic dhe koalicioni boshnjak “Vakat”.