Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyqi ka komentuar marrjen e vaksinës së kryeministrit Albin Kurti, dhe arysetimin e tij pas marrjes së kësaj vaksine.
Në postimin e tij në Facebook ai ka thënë që arsyetimi i kryeministrit Kurti se sikur të ishte një lloj tjetër i vaksinës nuk do ta merrte është skandaloz dhe fyes për Mbretërinë e Bashkuar.
“Megjithatë, në mungesë të tyre, Albin Kurti e mori vaksinën, jo se kishte nevojë për të, por për “hir të popullit që aq shumë po ju frikësohet”.
Arsyetimi i Albinit se “sikur të kishte qenë një lloj tjetër i vaksinës nuk do ta merrte”, jo vetëm është skandaloz, por edhe fyes për Mbretërinë e Bashkuar që na i solli falas vaksinën, të zhvilluar nga një super ekip i shkencëtarëve të Universitetit të Oksfordit”, thuhet në postimin e tij.
Reagimi i plotë:
Aq të kërkuara janë vaksinat në Kosovë, sa që gjasat që dikush ta refuzojë marrjen e saj, janë pothuajse zero.
Megjithatë, në mungesë të tyre, Albin Kurti e mori vaksinën, jo se kishte nevojë për të, por për “hir të popullit që aq shumë po ju frikësohet”.
Arsyetimi i Albinit se “sikur të kishte qenë një lloj tjetër i vaksinës nuk do ta merrte”, jo vetëm është skandaloz, por edhe fyes për Mbretërinë e Bashkuar që na i solli falas vaksinën, të zhvilluar nga një super ekip i shkencëtarëve të Universitetit të Oksfordit.
Por, ajo që më la përshtypje ishte argumenti i Glaukut se Albini e mori vetëm një herë vaksinën dhe “kjo mjafton”.
Unë e kuptoj që është shumë vështirë të mbrohet një veprim kaq i turpshëm i Albinit. Por, është mirë që Kryetari i Kuvendit të mos e keq informoj publikun. Përjashto vaksinën nga Johnson&Johnson, të gjitha vaksinat tjera duhet të merren dy herë. Pra, nëse Albini e ka marrë vetëm një herë vaksinën, e nuk e merr për herë të dytë, atëherë ky është shpërdorim dy herë më i rendë se arsyetimi i tij banal se vaksinën e mori për të bindur publikun se nuk ka rrezik, edhe pse fare nuk kishte nevojë për të.
Për ta kuptuar drejtë, vaksinimi bëhet në çift, me dy vaksina brenda një afati kohor. Shpërdorimi i një vaksine është krim moral në vete. Fatkeqësisht, për çdo ditë, mesatarisht, janë duke vdekur mbi 10 persona.
Sa më shumë po mundohen ta arsyetojnë gabimin e Albinit, aq më keq po duken. Shpresoj që vaksinat tjera do të vijnë sa më parë dhe se do të kemi sistem të drejtë të kategorizimit, pasi që ky aktual është jo funksional. Nga ueb-faqja, deri te administrimi teknik, Qeveria Kurti ka dështuar në çdo aspekt në raport me vaksinimin.