Zëdhënësi i Qeverisë për masat e BE-së: Të padrejta dhe jo fer, Kosova ka sjellje parimore

Prishtinë | 29 Qer 2023 | 19:15 | Nga Ekonomia Online

Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, ka dhënë një prononcim për emisionin “60 Minuta” të KTV-së, ku ka folur për marrëdhëniet e trazuara të Kosovës me Bashkimin Evropian dhe ShBA-në.

Në intervistën e tij, Kryeziu ka theksuar se Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, i konsideron masat ndëshkuese të BE-së si të “padrejta dhe jo fer”.

“Kosova në qendër ka sundimin e ligjit, pra ne në radhë të parë t’i qëndrojmë besnikë sundimit të ligjit, e tëkujdesemi që ata që kanë bërë sulme të kenë pasoja. Nuk mund të shtiremi sikur s’ka ndodhur asgjë nga 29 maji. Në veprimet tona të ardhshme që përfshijnë edhe zgjedhjet e parakohshme, të mos na dërgojnë në të njëjtën situatë si në zgjedhjet e prillit të këtij viti. Pos gatishmërisë, ka edhe qëllimin për të gjetur rrugëdalje drejt një shtensionimi të situatës. Sa i përket masave, nga fillimi kur kanë dalë diskutimet e para për mundësinë e masave të tilla, i kemi konsideruar si të padrejta dhe jo fer në raport me Kosovën, pasi Kosova nuk ka sjellje

agresore, por parimore për sundimin e ligjit.” – deklaroi Kryeziu, transmeton Koha.

Tutje, ai ka theksuar se edhe kur është kritikuar BE-ja, Qeveria e Kosovës kurrë s’ka qenë cinike e as e hidhëruar.

“Në të njëjtën kohë, në raport me Bashkimin Evropian, edhe kur kemi qenë kritikë, s’kemi qenë as cinikë, e as të hidhëruar. Çështja në veri është në radhë të parë përkushtim i respektimit të procedurave ligjore. Për gjatë gjithë kohës, kemi qenë besnikë ndaj ligjeve dhe Kushtetutës, por edhe i kemi qëndruar besnikë parimeve e vlerave, e bazë e tyre është sundimi i ligjit.” – deklaroi ai.

Të ngjashme