Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës shpërndan postimin e Avdullah Hotit ku kritikohet shefi i tij

Prishtinë | 15 Nën 2022 | 20:41 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka shpërndarë një postim të Avdullah Hotit në rrjetin social Facebook.

Në këtë postim, Hoti akuzonte delegacionin e Kosovës se janë takuar me Petar Petkoviç’in në Bruksel për të diskutuar lidhur me çështjen e targave duke injoruar kërkesën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtyrje të zbatimit të vendimit.

“Vendimi për targat është marrë nga Qeveria. Çfarë ka për tu negociuar?”, ishte pyetja që deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ua drejtoi krerëve të ekzekutivit.

“Fatkeqësisht, këta qeveritarë na kanë futur në qorrsokak sa i përket dialogut, e na kanë dëmtuar partneritetin me aleatët. Fundi nuk mund të jetë i mirë”, shtoi ai.

Shpërndarja e këtij postimi nga ana e Kryeziut duket të jetë aksidentale, ndoshta duke dashur t’ia dërgojë dikujt në mesengjer. Ai e fshiu menjëherë postimin, por dikush e ka bërë “print screen”.

E lidhur me këtë ka reaguar Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministri të Kosovës, Besnik Bislimi, i cili ka sqaruar se pretendimet e ish-kryeministrit të Kosovës, janë të pavërteta.

“Ajo çfarë ka deklaruar z. Hoti nuk është e vërtetë. Asnjë përfaqësues i Qeverisë së Republikës së Kosovës, nuk është takuar me Petkoviç në Bruksel”.

Gjatë së martës, Bislimi është takuar me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, me të cilin kanë diskutuar opsionet për konvertimin e suksesshëm të të gjitha targave ilegale serbe, në ato legale.

Gjithashtu, ai përsëriti interesimin për të vazhduar me takime të rregullta në Bruksel, për elementet e normalizimit të plotë të marrëdhënieve, me njohjen reciproke në qendër.

Të ngjashme