Kryeziu për vizitën e Kurtit në Greqi: Shpenzimet e akomodimit mbulohen nga organizatori

Prishtinë | 13 Kor 2022 | 18:06 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka dhënë detaje për vizitën e kryeministrit Albin Kurti në Greqi, i cili po qëndron atje që nga data 5 korrik, me ftesë të organizatorëve të dy konferencave, “The Economist” dhe “Simpoziumit Symi”.

Kryeziu ka bërë të ditur se shpenzimet e akomodimit të kryeministrit janë duke u mbuluar nga organizatori.

“Sivjet është viti i pestë me radhë që kryeministri Kurti merr pjesë në Simpoziumin Symi, ku të pranishëm janë politikanë, progresistë e akademikë të shquar nga mbarë bota. Sikur herave të kaluara, edhe këtë vit shpenzimet e akomodimit mbulohen nga organizatori”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.

Zyra e Kryeministrit, kishte njoftuar se Kurti do të marrë pjesë në Tryezën e Rrumbullakët me Qeverinë e Greqisë, ku temë diskutimi do të jetë “Antiteza, transformime, arritje në një botë në ndryshim”, ku pritet të marrin pjesë liderë shtetesh, ministra kabineti, drejtues të organizatave ndërkombëtare, drejtues nga biznesi, financat, profesionistë nga akademia dhe mediet.

Të mërkurën janë bërë tetë ditë që kryeministri i Kosovës po qëndron në shtetin grek.

Të ngjashme