Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se ai është duke konsideruar seriozisht emërimin e zëdhënëses së Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert si pasardhëse të Nikki Haleyt, e cila ka hequr dorë nga pozita e ambasadores së ShBA-së në Kombet e Bashkuara.
“Ajo është duke u konsideruar seriozisht”, ka thënë Trump para gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë më 1 nëntor.
“Ajo është fantastike. Ajo ka qenë me ne për një kohë të gjatë. Ajo ka qenë mbështetese për periudhë afatgjatë. Ndoshta do të marrim vendim javën e ardhshme”, është shprehur presidenti amerikan.
ABC News dhe Fox News kanë raportuar më 1 nëntor se Nauert tashmë ka pranuar ofertën për këtë pozitë, kanë thënë zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë.
Megjithatë, Trump atë e ka përmendur si zgjidhjen e parë duke thënë se “ne kemi shumë persona që e duan atë pozitë. Madje ka persona shumë të mirë”, por ka dhënë ndonjë emër specifik.
ABC ka thënë se ende nuk është e qartë nëse Nauert është pajtuar për të pranuar nominimin.
Ajo ka qenë moderatore lajmesh dhe korrespodente për Fox News para se t’i bashkohej Departamentit amerikan të Shtetit në prill të vitit 2017.
Ky emërim mund të konsiderohet i pazakonshëm, pasi ajo nuk ka përvojë paraprake në çështjet politike.
Haley ndërkohë ka njoftuar muajin e kaluar se do të largohet nga pozita që ka në OKB, në fund të këtij viti.