Zejna: MSh-ja, masa ose përgjegjësi për mungesën e barnave

Prishtinë | 21 Pri 2019 | 08:00 | Nga Ekonomia Online

Me gjithë që buxheti për barna që shteti obligohet t’i blejë për pacientët e sistemit publik është rritur mbi 60 për qind nga viti 2016, gjendja me barna në spitale nuk është e rëndë.

Një gjë e tillë, sipas hulumtuesit të “Demokraci Plus”, Isuf Zejna, lidhet me shumë faktorë, shkruan sot Koha Ditore.

Një nga faktorët, sipas tij, nuk është mungesa e buxhetit, por neglizhenca në lidhjen dhe menaxhimin e kontratave të lidhura për furnizim me barna dhe material shpenzues.

Zejna e ka parë si të nevojshme adresimin e përgjegjësve që po shkaktojnë kohë pas kohe mungesa të theksuara të barnave. Sipas tij, përgjegjësia ose duhet të adresohet tek zyrtarët që kanë ndikuar në furnizimin e dobët të barnave, ose ministri Uran Ismaili duhet të merret vetë përgjegjësi.

Sipas Zejnës, çështje shqetësuese është mënyra se si menaxhohen kontratat e barnave. U ka dhënë të drejtë “akuzave” se menaxhmenti i ri më shumë e ka përmirësuar promovimin publik, por nuk ka edhe aq rezultate në ndryshime substanciale në mënyrën qysh është duke funksionuar sistemi publik shëndetësor. Ai ka komentuar edhe lidhjen e kontratave për barna për periudhën njëvjeçare që, sipas tij, kanë ndikuar në furnizim jostabil të barnave.

Në Ministrinë e Shëndetësisë ka pasur një varg të reformave që janë ndërmarrë e që në shumë raste është rritur cilësia e shërbimeve shëndetësore, si dhe janë zvogëluar kostot e blerjes së barnave për një varg artikujsh. Po ashtu ka pasur edhe iniciativë për të rregulluar çmimin e barnave përmes legjislacionit sekondar që e bën blerjen e barnave në prokurim publik dhe jo vetëm të parashikueshëm për nga kostoja financiare. Sidoqoftë, probleme të mëdha mbeten në menaxhimin e kontratave, inicimin e kontratave të reja, kur ato janë afër përfundimit dhe të tjera. Çështje brengosëse po ashtu është edhe menaxhimi i stoqeve të barnave dhe materialeve shpenzuese, pasi që nuk ka një sistem të përcjelljes së shfrytëzimit të barnave nga operatori ekonomik deri tek pacienti”, ka thënë ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme