Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë e ka përcjellë me vëmendje situatën e krijuar pas vendimit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, lidhur me shkeljen e pretenduar të ç’rregullimit të konkurrencës tregtare nga ana e kompanive të naftës në Kosovë.
Kryetari i OEAK-ut, Arian Zeka, në një intervistë për Ekonomia Online tha se këto vendime nuk i komenton, për shkak siç tha ai, se këto kompani u janë drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Ai thotë, se shqetësimi i kësaj ode është koha kur është marrë vendimi i AKK-së për t’i gjobitur kompanitë e naftës.
“Ajo për çfarë ne si Odë Ekonomike Amerikane që kemi shprehur shqetësimin është koha kur një vendim i tillë është nxjerrë nga Autoriteti i Konkurrencës, pra duke e ndërlidhur çdo herë me situatën e krijuar pas shpërthimit të pandemisë COVID-19, dhe po ashtu me pezullimin e punës së Gjykatave e cila e bënë më të vështirë trajtimin me kohë të shpejtë edhe në mënyrë më efikase të padive të cilat kompanitë e naftës mund t’i kenë karshi AKK-së”, thotë ai.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Zeka thotë se për momentin ky vendim i Autoritetit të Konkurrencës ka shkaktuar dëme jomateriale, duke thënë se ngritja e padisë e pezullon detyrimin e pagesës.
“Dëmet që u janë shkaktuar kompanive, besoj se janë dëme jo-materiale, meqenëse në fund të fundit, ato nuk e kanë detyrimin e pagesës së gjobës financiare që u është vënë nga ana e Autoritetit të Kosovar të Konkurrencës, pra ngritja e padive në konflikt administrativ, megjithatë e pezullon detyrimin e kryerjes së pagesës, megjithatë dëmi është i natyrës jo-materiale në një situatë kur edhe ashtu aktiviteti ekonomik i tyre edhe niveli i të hyrave është i kufizuar, pra edhe ndonjë aspekti tjetër, natyrisht që e rrit edhe më tepër dëmin”,
Rekomandim tjetër i Odës Ekonomike Amerikane është që Gjykata të trajtojë me prioritet të lartë paditë e kompanive ndaj AKK-së, raporton EO.
“Ne e kemi pas edhe një thirrje tjetër që ka dalë prej forumeve që i kemi pasur gjatë këtyre ditëve, që megjithatë Gjykatat do të duhej të gjenin modalitete funksionale që të mundësonin vazhdimin e shqyrtimit gjyqësore të konteksteve të natyrës komerciale pavarësisht pandemisë”.
“Pra ne besojmë se ekziston infrastruktura e nevojshme fizike që këto seanca gjyqësore të mund të mbahen dhe të trajtohen sërish kontekstet e natyrës komerciale, gjithnjë duke zbatuar edhe rekomandimet e IKShPK-së”, tha ai.
Në fillim të muajit maj, Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka marrë vendimin përfundimtar që t’i dënojë 14 kompani të naftës. Ky vendim sipas AKK-së, është konstatuar se pas hetimeve të rasteve për mosuljen e çmimeve kur vendet e tjera kishin ulje, kanë vendosur të dënojë këto kompani me shumën prej 4 milionë eurove.