Zeka: Mbi 800 armë në procedurë të legalizimit, vitin e kaluar 20 vrasje ndodhën nga armët pa leje

Prishtinë | 10 Maj 2019 | 10:32 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministria e Punëve të Brendshme në bashkëpunim me UNDP kanë diskutuar mbi kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta dhe reduktimin e armëve të paligjshme në Kosovë, raporton Ekonomia Online.

Zv. ministri i Punëve të Brendshme dhe Koordinatori Kombëtar për Kontrollin e AVL-ve, Izmi Zeka, derisa ka bërë thirrje te qytetarët që t’i dorëzojnë armët ilegale, ka treguar se deri tani ka pasur numër të vogël të legalizimit të armëve.

Zeka duke e parë si shqetësuese këtë gjendje ka treguar se vitin e kaluar 20 raste të vrasjeve që kanë ndodhur kanë qenë me armë pa leje.  

“MPB që nga dhjetori i vitit të kaluar ka hapur afatin kohorë për legalizimin e armëve.  Në këtë drejtim janë shpërndarë edhe broshura për legalizimin e armëve. I ftoj qytetarët për legalizim të armëve. Është një numër i vogël i legalizimit të armëve. Për gjashtë muaj, i kemi mbi 800 armë në procedurë. Nëse një armë legalizohet kemi shpëtuar një jetë. Armët pa leje paraqesin rrezik për shoqërinë, vitin e kaluar 20 raste të vrasjeve që kanë ndodhur kanë qenë armë pa leje. Armët ilegale janë potencial për të eksploduar çdo moment. Duhet të hulumtojmë rrugë që asnjë armë në Kosovës të mos jetë ilegale”, ka thënë Zeka.

Si shumë shqetësuese për Zekën janë rastet e fundit të grabitjeve, dhunës në sholla dhe familje ku janë përdorur armët ilegale.

“Kosova është një prej vendeve jo që ka nevojë për siguri sepse çdo shtet i zhvilluar ka nevojë për siguri. Siguria është një nga kushtet elementare për zhvillimin e jetës.  Rastet e fundit të grabitjeve, dhunës në familje, dhunës në shkolla ku janë përdoruar armët e paligjshme janë bërë shqetësim për Republikën e Kosovës. Angazhimi ynë nënkupton përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë”, tha ai, raporton EO.

Përfaqësuesja e Përhershme, Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, Alessandra Roccasalvo, tha se e gjithë kjo po bëhet për legalizimin e armëve është për një Kosovë të sigurt.

“Kemi bërë fushata në këtë kohë se ku qëndrojmë në këtë aspekt dhe kjo ka të bëjë edhe me përpjekjet për ta bërë shoqërinë më të sigurt. Ne sot do të dëgjojmë se ku qëndrojmë në këtë aspekt dhe çfarë bëjnë institucionet drejt saj”, tha ajo.

Ajo ka shtuar gjithashtu se armët janë diçka që përballen vazhdimisht qytetarët.

“Armët e vogla janë diçka me të cilën përballemi vazhdimisht, të premten e kaluar jam takuar me komandantin e KFOR-it për të parë se ku qëndrojmë dhe u konstatua se qëndrimi jonë këtu është për të ruajtur të gjitha zhvillimet që janë arritur në Kosovë”, ka shtuar ajo.

Drejtori i Divizionit për Siguri Publike në Policinë e Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se sfidë për Policinë e Kosovës në luftimin efikas të trafikimit me armë dhe krimeve që ndërlidhën me armët mbetet mosanëtarësimi i policisë në mekanizma ndërkombëtar siç është Interpoli dhe Europoli.

“Policia e Kosovës i ka dhënë prioritetin e duhur luftës kundër krimeve që lidhën me armët dhe deri tani ka ngritur kapacitetet e nevojshme duke krijuar njësi të veçanta. Kemi investuar në trajnimin e stafit në këtë drejtim. Sfidë për Policinë e Kosovës në luftimin efikas të trafikimit me armë dhe krimeve që ndërlidhën me armët mbetet mosanëtarësimi i policisë në mekanizma ndërkombëtar siç është Interpoli dhe Europoli”, ka thënë Hoxha.

Besnik Sallahu, udhëheqës i ILECU në Policinë e Kosovës, tha se në Kosovë janë rreth 260 mijë armë ilegale.

“Ky hulumtim është bërë në vitin 2014, dhe nëse kësaj i shtojmë aktivitetin e Policisë për konfiskimin e armëve pa leje, besojmë se ky numër ka rënë dukshëm. Policia e Kosovës çdo vit konfiskon rreth 1300 armë pa leje. Vepra më e ndjeshme e kryer me armë është vrasja”, tha ai.

Kurse, Alian Lapon, këshilltar kryesor teknik në UNDP, tha se direktiva për legalizimin e armëve është shumë e rëndësishme. Ndërsa shtoi se nevoja për t’i mbajtur nën kontroll, duhet të bëhet përmes disa direktivave.

Të ngjashme