Zëvendësministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, ka thënë se ky institucion nuk ka kurrfarë informacioni rreth sulmit të planifikuar mbi Kuvendin e Shqipërisë nga disa kosovarë.
“Janë çështje të brendshme të shtetit shqiptar. Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës nuk ka informacion që ka njerëz që kanë mundur të bëjnë veprime të tilla”, ka thënë Zeka, njofton Klan Kosova.
“Janë çështje operacionale. Ne bashkëpunojmë dhe janë çështje të brendshme. Dy policitë kanë operacione të përbashkëta. Nuk kam ndonjë informacion në këtë çështje që po thuhet ose që ka deklaruar Meta”.
Ka qenë dje Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, që ka thënë se një grup paramilitarë nga Kosova dhe trevat tjera shqiptare kishte në plan të digjnin Kuvendin e Shqipërisë gjatë muajit qershor.
Pas kësaj Zeka ka folur për aspektin e sigurisë, kur vendi ndodhet para zgjedhjeve të përgjithshme.
“ Vlerësoj që gjendja në Kosovë është stabile nuk kemi ndonjë indikacion që situata mund të jetë e jashtëzakonshme. Në rast kur janë zgjedhjet janë disa masa shtesë që ndërmerren por jo diçka e veçantë që mund të shkaktojë pasiguri. Zgjedhjet janë proces demokratik dhe nuk ka nevojë të krijohet huti dhe të merren masa të tilla që t’i jepet pompozitet kësaj çështjeje”.
“E dimë se në Ballkan ka shërbime të ndryshe që situatën e bëjnë më pak normale. Kosova është shtet stabil dhe në aspektin e sigurisë dhe qëndron mirë. Do të ketë masa shtese gjatë fushatës zgjedhore”.