Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka organizuar konferencë me temë “Siguria kibernetike 360, dhe si të mbroni biznesin tuaj në epokën digjitale”, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i OEAK-ut, Arian Zeka, tha se siguria kibernetike nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme, sesa tani kur transformimi digjital po riformulon mjedisin e biznesit.
Ai ka theksuar se kjo konferencë, në kuadër të Muajit e Ndërgjegjësimit për Siguri Kibernetike, “është krijuar për t’ju pajisur me njohuritë dhe mjetet e nevojshme për të lundruar në këto sfida dhe për të rritur elasticitetin e biznesit tuaj”.
“Në një epoke ku transformimi digjital po riformulon mjedisin e biznesit, siguria kibernetike nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme. Derisa adoptojmë teknologjitë e reja, përballemi edhe me sfida të pashembullta. Kërcënimet kibernetike po evoluojnë, po behën më të sofistikuara dhe po ndikojnë në organizata të të gjitha madhësive. Konferenca e sotme është krijuar për t’ju pajisur me njohuritë dhe mjetet e nevojshme për të lundruar në këto sfida dhe për të rritur elasticitetin e biznesit tuaj”, u shpreh Zeka.
Ndërsa, Craig Kim, zyrtar ekonomik në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, tha se ShBA-ja ka një traditë të mbështetjes për internet të sigurtë ku mbrohen të drejtat e njeriut dhe të dhënat qarkullojnë lirshëm.
“ShBA-ja ka një traditë të mbështetjes për internet të sigurtë dhe të ndërveprueshëm ku mbrohen të drejtat e njeriut dhe të dhënat qarkullojnë lirshëm dhe ruhen, ku të gjithë njerëzit kanë mundësi për ta realizuar potencialin e tyre të plotë dhe bashkëpunimi jonë fokusohet në solidaritetin digjital si koncept kryesor i punës sonë që të kemi teknologji të sigurt dhe asnjëherë nuk mund ta bëjmë të vetëm por së bashku me partnerët dhe aleatët është kryesore që të bëhet. Siguria kibernetike është një kusht i domosdoshëm meqë teknologjia është më qëndrore dhe organizatat publike e private janë më të ndërlidhura, ndërsa në sistemet online sjellin lehtësira por gjithashtu edhe kosto të varësisë së ekspozimit ndaj sulmeve kibernetike”, u shpreh ai.