Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, pas takimit të sotëm me kryetarët e komunave, ka deklaruar se është e domosdoshme të vazhdohet me masat që janë në fuqi.
Zemaj ka shkruar në Facebook se në takimin e sotëm virtual është bërë vlerësimi i situatës epidemiologjike në vend dhe është diskutuar se si do të vazhdohet në dy javët e fundit të vitit.
Postimi i plotë:
Në takimin e sotëm virtual me kryetarët e komunave, kemi bërë një vlerësim të situatës epidemiologjike në vend si dhe një bashkërendim se si të ecim tutje në këtë dy javët e fundit të vitit.
Derisa kemi parë që masat e marra sipas kategorizimeve kanë pasur efektin e vet është më se e domosdoshme që të vazhdohet tutje me këto masa.
Është konstatim i përbashkët që duhet të jemi sa më të vëmendshëm dhe strikt sa i përket mos lejimit të shtrirjes së infeksionit në vendin tonë.
Ftoj qytetarët, të jenë të kujdesshëm, të vëmendshëm dhe të zbatojnë masat anti Covid.
Ne e kemi obligim ligjor, obligim ndaj qytetarëve, secili në përgjegjësit e veta, në radhë të parë ta ketë ruajtjen e shëndetit publik, ruajtjen e shëndetit të qytetarëve, si prioritet mbi prioritetet.
Bashkë me kryetarët e komunave dhe me kryeministrin Hoti, me IKSHPK-në, do të jemi në kontakte të vazhdueshme dhe në koordinim të plotë para marrjes së vendimit sa i përket masave anti Covid për fund vit.