Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka shprehur kritika ndaj qeverisë në detyrë, duke e akuzuar për menaxhim të dobët dhe veprime joligjore që sipas tij kanë dëmtuar raportet me partnerët ndërkombëtarë dhe kanë larguar Kosovën nga agjenda euroatlantike.
Në një postim në Facebook, Zemaj shkruan se qeveria katër vitet e fundit nuk ka realizuar asnjë projekt zhvillimor, ndërsa në vitin e pestë po përdor propagandë, polarizim dhe një fjalor të ulët për të ndarë qytetarët në “patriotë” dhe “tradhtarë”.
“Kosova i takon familjes europiane. LDK ka punuar dhe do të punojë gjithmonë për integrimin përfundimtar të vendit tonë në strukturat euroatlantike. Fatkeqësisht, qeveria aktuale, e cila prej një viti po vepron në mënyrë joligjore, ka dëmtuar seriozisht raportet tona me partnerët ndërkombëtarë dhe e ka larguar Kosovën nga axhenda euroatlantike. Qytetarët duhet ta ndëshkojnë këtë paaftësi dhe këtë keqmenaxhim. Katër vite pa asnjë projekt zhvillimor. Në vitin e pestë, vetëm propagandë, polarizim dhe fjalor i ulët për t’i ndarë njerëzit në “patriotë” e “tradhtarë”. Kosova meriton qeverisje të përgjegjshme, profesionale dhe të orientuar drejt integrimit dhe zhvillimit”, ka shkruar Zemaj.