Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se janë për keqardhje pamjet e publikuara nga disa shkolla në të cilat janë parë prindër dhe arsimtarë para dyerve të shkollave, pa maska mbrojtëse.
Përmes një postimi në Facebook ai ka thënë se në ditën e parë të vitit të ri shkollor në Kosovë, u raportuan vetëm 50 raste të reja pozitive, duke shtuar se është punuar shumë që kjo lakore e infektimeve të ulet.
“Dje, isha për vizitë në dy shkolla në komunën e Prishtinës dhe të Vushtrrisë, për të parë përgatitjet për mësim. Por, është për keqardhje pamjet e publikuara nga disa shkolla tjera për neglizhencën e masave nga disa prindër dhe arsimtarë, të grumbulluar para dyerve të shkollave, pa maskat mbrojtëse! Lus prindërit dhe personelin arsimor të tregohen të përgjegjshëm dhe me përpikëri të vazhdojnë t’i respektojnë masat”, ka shkruar ai.
Zemaj tutje ka shtuar se çdo neglizhencë e rekomandimeve anti-covid, rrezikon shëndetin e përgjithshëm dhe nuk do të tolerohet.
“Ne, do të vazhdojmë angazhimin që të respektohen masat anti- covid dhe të ruhet shëndeti i fëmijëve dhe nxënësve”, ka shkruar ai.