Zeneli: Gjuha fyese ndaj grave në Kuvend e papranueshme dhe dekurajuese

Prishtinë | 02 Maj 2026 | 08:46 | Nga Ekonomia Online

Profesori universitar Alban Zeneli për Ekonomia Online ka folur për gjuhën fyese ndaj grave në Kuvendin e Kosovës, duke e cilësuar atë si të papranueshme dhe dekurajuese.

Rasti i fundit ndodhi kur ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, përdori gjuhë ofenduese ndaj ish-deputetes së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.

Zeneli vlerëson se kjo nuk është një dukuri e izoluar, por pjesë e një problemi më të gjerë të gjuhës publike ndaj grave.

“Në fakt, gjuha publike ndaj grave përgjithësisht është e ashpër në Kosovë dhe jo vetëm grave politikane, po edhe ndaj pjesëmarrësve të tjerë në sferën publike që janë gra. Përgjithësisht gjuha është e ashpër në raport me atë që përdoret gjuhë urrejtjeje, përdoret gjuhë e cila nuk është e përshtatshme për komunikim publik ndaj të gjithëve. Po kur është çështja tek gratë, mendoj që është dyfish më e rëndë gjuha, edhe për faktin se ne kemi një numër relativisht të vogël të grave që marrin pjesë në diskutim publik. Edhe kjo gjuhë bëhet me tendencë me i dekuraju specifikisht gratë, po edhe të tjerët, për pjesëmarrje në diskutim publik e në hapësirë publike. Në rastin konkret që ju po e përmendni, në Kuvendin e Kosovës deputetët kanë imunitet në ndjekje penale për atë se çfarë thonë, po normalisht që moralisht kjo nuk është e pranueshme dhe nuk do të duhej të pranohej as nga grupi parlamentar të cilit i takon deputeti që bën fjalime të tilla, e as nga Kuvendi i Kosovës përgjithësisht“, tha ai.

Sa i përket rolit të mediave në raportimin e rasteve të tilla, Zeneli bën dallim mes mediave tradicionale dhe atyre sociale, duke theksuar se mënyra e ekspozimit ka ndikim të drejtpërdrejtë në përhapjen e gjuhës së papërshtatshme.

“Po, ne duhet të bëjmë një ndarje, unë besoj këtu, mes mediave kredibile, të cilat nuk e kanë paraqitur fjalimin në tërësi dhe nuk e kanë paraqitur pjesën më problematike të atij fjalimi, ndërkohë që i kemi edhe një numër pastaj të mediave sociale, të cilat janë të interesuara për vëmendje e atë vëmendje të audiencës e sigurojnë përmes skandaleve të tilla. Nga kjo pikëpamje, ne nuk kemi një rregullim ligjor të mediave sociale në Kosovë edhe rrjedhimisht mbetet vetëm te ato standardet e komunitetit që i krijojnë mediat sociale si Facebook-u ose të tjerat. Pra, nuk ka ndonjë farë lloji tjetër të aplikimit, përveç kur kalon në gjuhë të urrejtjes, në të cilën pastaj aktivizohet prokuroria“, u shpreh ai.

Në lidhje me përgjegjësinë institucionale për adresimin e gjuhës së urrejtjes në hapësirën publike, Zeneli thekson rolin e organeve rregullatore.

“Nëse po flasim për media, atëherë për mediat tradicionale, radiot edhe televizionet, bie mbi kompetencën e Komisionit të Pavarur për Media që të monitorojë dhe të sanksionojë mediumet që lejojnë përdorimin e gjuhës së tillë në sferë publike. Ndërsa nëse po flasim për mediat online, ajo bie mbi kompetencën e Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, që është organ vetërregullues e që merr po ashtu vendime në raport me këto çështje“, tha Zeneli.

Të ngjashme