Bislimi: Të dhënat e regjistrimit të popullsisë do të kontribuojnë në hartimin e politikave të drejta dhe zhvillimore

Prishtinë | 10 Nën 2022 | 17:08 | Nga Ekonomia Online

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, mori pjesë në konferencën e Javës së Regjistrimit të Popullsisë, organizuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës në kuadër të ZKM-së, mbështetur nga UNFPA-Zyra në Kosovë.

Në fjalën e tij, zëvendëskryeministri Bislimi, tha se të dhënat e përditësuara nga regjistrimi i popullsisë do të na ndihmojnë në gjenerimin e indikatorëve të rëndësishëm të matjes së zhvillimit njerëzor.

‘’Përmes të dhënave të regjistrimit mund të masim saktësisht aktivitetet ekonomike, financiare, aktivitetet shërbyese, shëndetësore, sociale, kulturore dhe indikatorë tjerë demografik, gjeografik, gjinor e mjedisor. Për të kuptuar më qartë nevojat e qytetarëve tanë, dhe për të hartuar politika të drejta bazuar në kërkesa reale për përmirësim të jetës në sektorë të ndryshëm në vend’’ tha zëvendëskryeministri Bislimi.

Rreth 12 milionë euro do të ndahen për të mundësuar që të kemi një sistem të kompletuar të të dhënave statistikore, në linjë me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe shtetërore. Rregulloret ndërkombëtare dhe EU acquis në fushën e statistikave, kërkojnë nga sistemet kombëtare statistikore një infrastrukturë të bazuar në parimet bazë si paanshmëria, besueshmëria, transparenca, konfidencialiteti i të dhënave dhe publikimi i statistikave zyrtare.

Zëvendëskryeministri Bislimi tha se si Qeveri e Republikës së Kosovës, shprehim përkushtimin dhe gatishmërinë për mbështetjen e Agjencisë së Statistikave në regjistrimin e popullsisë.

Më poshtë, fjala e plotë e zëvendëskryeministrit Bislimi:

E nderuar Zëvendëskryeministre e Republikës së Kosovës znj. Redzepi

Të nderuar zotërinj Berisha e Kastrati,

E nderuar znj. Brkovic

Të nderuar përfaqësues të misioneve dhe zyrave ndërkombëtare në Kosovë,

Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,

Përfaqësues nga organizata joqeveritare,

Dhe ju tjerë të pranishëm,

Ju faleminderit për ftesën. Kam kënaqësinë të jem pjesë e Javës së Regjistrimit të Popullsisë, një projekti kaq të rëndësishëm për sistemin statistikor të Republikës së Kosovës. Bazuar në Programimin e Statistikave Zyrtare, në objektivat dhe prioritetet e sistemit statistikor të Kosovës, dhe Ligjit për Statistikat Zyrtare në vend, është Avancimi dhe zhvillimi në nivelin sa më të lartë të qëndrueshmërisë dhe të besueshmërisë statistikore.

Të dhënat statistikore në përgjithësi, dhe të dhënat e Regjistrimit të popullsisë në veçanti krijojnë mostrën për të gjitha hulumtimet shkencore dhe bazën e tërë sistemit statistikor kombëtar. Statistikat kanë të bëjnë në thelb mbi të vërtetën dhe besueshmërinë ndaj informacionit zyrtar në Republikën tonë. Prandaj, me qëllim të përmbushjes së kërkesave dhe standardeve kombëtare e ndërkombëtare, Sistemi Statistikor i Kosovës do të vazhdojë të zhvillohet, duke rritur produktivitetin dhe cilësinë e statistikave zyrtare në vend.

Të dhënat e përditësuara nga regjistrimi i popullsisë do të na ndihmojnë në gjenerimin e indikatorëve të rëndësishëm të matjes së zhvillimit njerëzor. Ku përmes të dhënave të regjistrimit mund të masim saktësisht aktivitetet ekonomike, financiare, aktivitetet shërbyese, shëndetësore, sociale, kulturore dhe indikatorë tjerë demografik, gjeografik, gjinor e mjedisor. Për të kuptuar më qartë nevojat e qytetarëve tanë, dhe për të hartuar politika të drejta bazuar në kërkesa reale për përmirësim të jetës në sektorë të ndryshëm në vend.

Në Javën e Regjistrimit të Popullsisë, tashmë kur Qeveria ka vendosur për datën e regjistrimit e që është 1 shtator-16 tetor 2023, do të doja të sjellë para jush një ndërlidhje simbiotike në mes të të dhënave statistikore dhe shoqërisë. Në atë se si shteti jo vetëm që mund të  mbledhë të dhëna nga qytetarët, por edhe se si këto të dhëna mund të përdoren për të ndikuar sferën shoqërore.

Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë është ndër projektet më të rëndësishme shtetërore, dhe si një numërim zyrtar në tërë territorin e vendit kërkon angazhim e bashkëpunim të institucioneve qendrore, lokale, dhe ndërkombëtare. Ne si Qeveri e Republikës së Kosovës, shprehim përkushtimin dhe gatishmërinë për mbështetjen e Agjencisë së Statistikave në regjistrimin e popullsisë.

Tani, në më shumë se një dekadë pas mbajtjes së regjistrimit të fundit të popullsisë, Kosova ka nevojë për të dhëna të rifreskuara demografike dhe socio-ekonomike. Rreth 12 milionë euro do të ndahen për të na mundësuar që të kemi një sistem të kompletuar të të dhënave statistikore, në linjë me praktikat më të mira ndërkombëtare dhe shtetërore. Rregulloret ndërkombëtare dhe EU acquis në fushën e statistikave kërkojnë nga sistemet kombëtare statistikore një infrastrukturë të bazuar në parimet bazë si: paanshmëria, besueshmëria, transparenca, konfidencialiteti i të dhënave dhe publikimi i statistikave zyrtare.

Kosova në orientimin e saj demokratik, dhe rrugës drejt integrimit evropian duhet të përmbushë reformat, të cilat ofrojnë njëkohësisht mundësi më të mira për qytetarët dhe i mundësojnë vendit zhvillimin e standardeve të barabarta me ato që gëzojnë qytetarët e BE-së. Parimet e Kodit të Praktikës së Statistikave Evropian të vendosura në Ligjin për Statistikat Zyrtare në Republikën e Kosovës, janë udhërrëfim i qartë se në çfarë standarde duhet të bazohen prodhimet dhe publikimet e statistikave zyrtare.

Për dallim nga regjistrimi i viti 2011, regjistrimi i ardhshëm në Kosovës në 1 shtator 2023, do të aplikojë qasjen inovative të implementimit përmes digjitalizimit të procesit së mbledhjes, analizimit dhe shpërndarjes së të dhënave statistikore. Pjesën teknike tutje e plotëson angazhimi aktiv qytetar i cili ndihmon procesin e realizimit të regjistrimit të popullsisë. Ku çdo banor i Republikës së Kosovës obligohet, që gjatë Regjistrimit, zyrtarit për regjistrim t`ia ofrojë të gjitha të dhënat e sakta për vete dhe për të afërmit e tij/saj.

Po ashtu, e një rëndësie të veçantë është fakti që regjistrimi i popullsisë do të jetë gjithëpërfshirës dhe kualitativ, kjo jo vetëm në aspektin e të të regjistruarve, por edhe të personave që përfshihen në anketim. Për këtë Qeveria e Kosovës do të ofrojë të gjitha mjetet e nevojshme për një regjistrim të suksesshëm duke u angazhuar maksimalisht për një proces demokratik të regjistrimit, ku të gjithë personat që jetojnë në Kosovë do të regjistrohen dhe do të numërohen zyrtarisht nga 4850 personat që do të angazhohen gjatë kësaj periudhe.

Ne jemi të bindur që pas figurave të reja që do të dalin nga ky regjistrim, do të na hapet rruga neve si politikbërës që të krijojmë politika të përshtatshme zhvillimore si dhe do të krijojnë një imazh të ri për Kosovën ndërkombëtarisht.

Të ngjashme