Zëvendëskryeministri i Parë, Besnik Tahiri, ka thënë se Shefi i SHBA’së, Donald Trump nuk do ta përsërisë edhe herë të tjera mundësinë që u ka dhënë Kosovës dhe Serbisë që të takohen në Shtëpinë e Bardhë në fillim të shtatorit.
Ka thënë se Donald Trump është marrë me Kosovën dhe Serbinë edhe në dhjetor të vitit 2018 kur kishte kërkuar marrëveshje ndërmjet dy vendeve.
Reagimi i Tahirit ka ardhur pasi Aleksander Vucic, President i Serbisë, tha se ka gjasë që Donald Trump të bëhet pjesë e takimit në Shtëpinë e Bardhë nëse palët arrijnë të nënshkruajnë marrëveshje.
“Ne i jemi thellësisht mirënjohës SHBA-së. Prandaj, Kosova e përfaqësuar në Shtëpinë e Bardhë, shkon me shpresë dhe besim, që mundësia e ofruar nga Presidenti Trump, nuk ofrohet çdo ditë”, ka shkruar Tahiri në një reagim në FB.
Ai ka thënë se janë të kota përpjekjet e shefit të shtetit serb të tentojë të japë lajme ekskluzive.
“Vuçiq nuk ka pse të na paraqitet si lajmëtar ekskluziv, përkitazi me atë se ekziston një mundësi, që edhe Presidenti Trump, të ndaj sado pak kohë për prezencë të tij në takimin e shtatorit. Ne e admirojmë popullin amerikan dhe Shtëpinë e Bardhë. Presidenti Trump dhe Shtëpia e Bardhë, kishin ndarë kohë kur i dërguan letër atij, me 14 dhjetor 2018. Shtëpia e Bardhë dhe Presidentët e SHBA-së, i kanë dhënë pafundësisht shumë paqes, sigurisë dhe prosperitetit global”, ka shkruar Tahiri, në një reagim në FB.
“Tradicionalisht, historia flet, se ne gjithmonë kemi pasur mbështetjen dhe besimin e Presidencës së SHBA-së, Shtëpisë së Bardhë. Kjo nuk ka ndryshuar dhe nuk ka për të ndryshuar ndonjëherë”, ka shtuar ai.
Sipas njeriut të dytë në Qeveri, Kosova shkon në SHBA me besim se amerikanët do të jenë në anën e Kosovës.
“Lëvizjen drejt konstruktivizmit dhe përafrimit, duhet ta bëjë pala serbe, sepse ajo nuk ka ndërruar qasje ndaj SHBA-së dhe as ndaj Kosovës ndonjëherë. Ne kemi qenë, jemi dhe do të jemi përgjithmonë, me SHBA-në, Presidentët e saj dhe Shtëpinë e Bardhë. Dhe, përkitazi me SHBA-në, nuk na duhen dhe nuk pranojmë njoftime nga Vuçiq dhe Serbia”, ka shtuar ai.