Zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka pritur sot në takim një delegacion të Këshillit të Evropës, të kryesuar nga drejtori i Koordinimit të Programeve të Këshillit të Evropës në Strasburg, Claus Neukirch.
Gjatë takimit u vlerësua progresi i deritanishëm i Kosovës në fushat e sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe demokracisë.
Zëvendësministri Ahmeti theksoi përkushtimin e MPJD-së për përmbylljen e procesit të anëtarësimit dhe thellimin e bashkëpunimit me mekanizmat e Këshillit të Evropës, duke u mbështetur në dialogun e rregullt dhe praktikat e mira të krijuara gjatë takimeve të mëhershme.
Bëhet e ditur se ai theksoi se, duke u bazuar edhe në vlerësimet e vet raportuesve dhe organeve të Këshillit të Evropës, Republika e Kosovës do të duhej tashmë të ishte anëtare e plotë e kësaj organizate dhe se vonesat në këtë proces po ua pamundësojnë qytetarëve të Kosovës, veçanërisht komuniteteve pakicë, përfitimet nga konventat e Këshillit të Evropës.
Palët gjithashtu diskutuan për projektet aktuale dhe ato të ardhshme që synojnë forcimin e institucioneve, mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, si dhe mbështetjen e reformave në drejtësi.
Në mbyllje të takimit, zëvendësministri Ahmeti shprehu mirënjohjen për kontributin e vazhdueshëm të KiE-së në forcimin e institucioneve vendore dhe theksoi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Këshillit të Evropës shkojnë përtej bashkëpunimit teknik, duke pasqyruar orientimin strategjik të Kosovës dhe përkushtimin e saj për t’u integruar në familjen evropiane dhe për t’i zbatuar standardet dhe vlerat evropiane.