Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha po qëndron në një vizitë zyrtare në Romë të Republikës së Italisë.
Hoxha, së bashku me zyrtarë të lartë të Departamentit të Riintegrimit të MPB-së, zyrtarë, të IOM-it dhe UNDP-së në Kosovë, u takuan me zyrtarë të lartë nga Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale në Republikën e Italisë.
Qëllimi i vizitës ishte njohja nga afër me kornizën ligjore të migracionit dhe procedurën e trajtimit të fëmijëve të pashoqëruar nga mekanizmat kompetent Italian, me theks të veçantë për fëmijët kosovarë si kategori e cenueshme që aktualisht janë në Itali.
Delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga zëvendësministri Hoxha, gjatë kësaj vizite në Republikën e Italisë, u takuan edhe me drejtoreshën e Përgjithshme të Departamentit për Liritë Civile dhe Migracion në Ministrinë e Brendshme të Italisë, me Drejtoreshën e Departamentit të Përgjithshëm për Migracion dhe Politika të Integrimit në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale, dhe zyrtarë të tjerë për çështje migratore, si dhe zyrtarë nga IOM-i i Italisë.
Gjatë këtyre takimeve, delegacioni i Kosovës u njoftuan nga zyrtarët italian për mënyrën e trajtimit të fëmijëve të pashoqëruar (nën moshën 18 vjeç), me theks të veçantë për fëmijët nga Kosova dhe po ashtu diskutuan për identifikimin dhe mënyrate përbashkëta të bashkëpunimit.