Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, priti në takim një delegacion nga Swiss Development Coopoeration (SDC), znj. Beate Elasser – Zëvendëskryesuese e SDC për bashkëpunim me Evropën Lindore, si dhe bashkëpunëtorët e saj.
Me këtë rast, zëvendësministri i njoftoi më shumë rreth angazhimeve të Ministrisë së Drejtësisë, në veçanti në përpjekjet për të luftuar korrupsion në vend.
Zëvendësministri Sallahu, shpjegoi nga afër për procesin e vettingut, me ç’rast theksoi se hartimi i koncept-dokumentit për vettingun është në fazën e tij përfundimtare, duke qartësuar më gjerësisht edhe metodat e zbatueshmërisë së tij.
Më tej, Sallahu sqaroi më shumë rreth projektligjit për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme, i cili do të hetojë zyrtarët shtetëror, marrë parasysh faktin që ka një diskrepancë të madhe mes të ardhurave të deklaruara dhe përfitimit të pasurisë.
Diskutim tjetër i rëndësishëm ishte edhe trajtimi i temës rreth themelimit të Gjykatës Komerciale, e cila do të mundësojë përshpejtimin e zgjidhjeve të kontesteve të natyres komerciale të cilat shpesh marrin kohë të paarsyeshme për t’u zgjidhur.
Beate Elasser dhe bashkëpunëtoret e saj, shprehën inkurajimin për punën intensive të Ministrisë së Drejtësisë dhe angazhimin serioz në përpilimin e infrastrukturës ligjore në prioritetet e saj. Njëherit shprehën gatishmërinë për mbështetje në ekspertizë në partneritet të plotë me UNDP-në, në kuadër të bashkëpunimit i cili është i vazhdueshëm me Ministrinë e Drejtësisë.