Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Nehat Mustafa, është duke marrë pjesë në konferencën e përbashkët të organizuar nga Aid for Trade Global View 2017 dhe nga Grupi i Bankës Botërore, që ka bëjë me “promovimin e tregtisë, gjithë-përfshirjen dhe konektivitetin për zhvillim të qëndrueshëm, si dhe për marrëveshjet për lehtësimin e tregtisë”, që po mbahet në Gjenevë të Zvicrës (prej 11- 14 korrik).
Gjatë sesioneve të organizuara nga Aid for Trade Global View, temat që janë për t’u diskutuarjanë: roli i turizmit për zhvillimin e vendeve më pak të zhvilluara, lehtësimi i tregtisë dhe transportit, transformimi industrial i vendeve të treta, etj.
Kurse në sesionin e organizuar nga Grupi i Bankës Botërore, diskutimet janë të përqendruara në marrëveshjet për lehtësimin e tregtisë në kuadër të Organizatës Botërore të Tregtisë, me theks të veçantë në rritjen e koordinimit kufitar dhe matjen e progresit.
Në këtë konferencë, Mustafa dhe zyrtarët nga Dogana e Kosovës dhe të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës do të prezantojnë të arriturat e Kosovës në fushën e reformave për lehtësimet tregtare, si dhe për koordinimin dhe bashkëpunimin në mes agjencive kufitare.