Zëvendësministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës,Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Dukagjin Pupovci ka marrë pjesë në takimin virtual të Platformës Drejtuese për Ballkanin Perëndimor për kërkimin dhe inovacionin.
Temë kryesore e këtij takimi, ishin përgatitjet për samitin e ministrave të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE që do të mbahet më 27 maj 2021, e ku pritet të nënshkruhet Deklarata e Përbashkët për jetësimin e agjendës për inovacionin, kërkimin, arsimin, kulturën, rininë dhe sportin.
Ndërsa mësohet se në lidhje me politikat e BE-së, prioritetet e Kosovës deri në fund të vitit 2021 janë: fitimi i statusit të asociuar në programin për financimin e kërkimeve dhe inovacionit të BE, Horizon Europe, hartimi i strategjisë për specializime të mençura dhe ndërtimi i Sistemit të Informacionit Aktual për Hulumtime (CRIS).
Vlen të ceket që Platforma Drejtuese për Ballkanin Perëndimor për kërkimin dhe inovacionin është themeluar në vitin 2006 dhe shërben për koordinimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të Bashkimit Evropian për aktivitete në fushën e kërkimit dhe inovacionit.