Në ditën e dytë të qëndrimit të saj në konferencën e shteteve afrikane “Afrika 2017”, në Sharm El Sheikh të Egjiptit, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Rejhan Vuniqi, në cilësinë e përfaqësueses nga Kosova, ka takuar delegacione të nivelit të lartë nga shtete të ndryshme pjesëmarrëse në këtë aktivitet.
Nga takimet, që ajo zhvilloi gjatë ditës së sotme vlen të përmenden ai me Drejtoren Ekzekutive të Bordit të Zhvillimit të Rwandes, Clare Akamanzi, pozita e së cilës ishte e nivelit të kabinetit Qeveritar si dhe takimi me dy Zëvendës-Ministra të Mozambikut, atë të Punës dhe Sigurisë Sociale dhe Zëvendës-Ministrin e Burimeve Minerare dhe Energjisë.
Në të dy takimet u bisedua mbi gjetjen e modaliteteve të bashkëpunimit në mes të Kosovës me këto dy shtete, duke filluar nga njohja e pavarësisë e pastaj edhe bashkëpunimit diplomatik dhe ekonomik mes dy vendeve.
Në të gjitha takimet, bashkëbiseduesit ftuan institucionet e Kosovës për të realizuar vizita në vendet e tyre respektive.
Konferenca “Afrika 2017”, e titulluar “Biznes për Afrikën, Egjiptin dhe Botën” ka mbledhur për dy ditë radhazi në Sharm El Sheikh të Egjiptit krerët më të lartë të Institucioneve të shteteve të kontinentit afrikan.