Zëvendësministrja Gashi takohet me përfaqësues të Kanadasë, diskuton për mundësitë e bashkëpunimit

Prishtinë | 18 Pri 2024 | 14:49 | Nga Ekonomia Online

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, ka pritur në takim një delegacion kanadez të kryesuar nga Sekretari Parlamentar i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kanadasë, Rob Oliphant.

Gashi gjatë takimit ka folur për progresin ekonomik që ka shënuar Republika e Kosovës në vitet e fundit si dhe ka shprehur interesimin që Kosova ka për të bashkëpunuar në sferën ekonomike me Kanadanë, me theks të veçantë në fushën e minierave dhe energjetikës.

Shkëmbimi i përvojave në fushën e arsimit, sidomos ndarja e eksperiencave nga universitetet kanadeze me ato të Kosovës, u konsiderua si një mundësi e re e bashkëpunimit mes të dyja shteteve.
Përgjatë takimit u diskutua për aspektin e sigurisë, ku Zëvendësministrja Gashi ka ri-theksuar faktin se antarësimi i Kosovës në NATO do të nënkuptonte më tepër siguri e stabilitet për të gjithë rajonin.
Sekretari Oliphant ndërkaq tha se Kosova ka mbështetjen e plotë të Kanadasë në të gjitha proceset e integrimit të saj në mekanizma ndërkombëtar.

Të ngjashme