As një muaj i plotë na ndanë prej ditës së mërkurë të 4 marsit, kur do ta marrim vesh se a kemi zgjedhur Presidentin/ Presidenten e Kosovës, apo në muajin prill do t’ia mësymë sërish qendrave të votimit për të votuar për të tretën herë në zgjedhjet e përgjithshme të vendit brenda 14 muajve.
Kjo kryefjalë si e tillë, me një përshkrim krejtësisht teknik, saktësisht formal, mjafton që të ngritë tensionin gjithë një shoqërie, dhe të shndërrohet në burim tjetër i problemeve të mëdha në skenën politike të vendit.
Nuk na duhen gjë zgjedhjet e reja. Këtë duhet thënë troç që të gjithë ne: qytetarët dhe politikanët e Kosovës.
Epilogu i zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ka krijuar, megjithatë, një hartë të përbërjes së Kuvendit të Kosovës, e cila sa ora mund të shndërrohet në një hartë rrugore për kalimin e mirë dhe të ndershëm të sprovës së zgjedhjes së presidentit, e cila tash e 15 vjet (që nga ai rasti i njohur i kontestimit të shpallur nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës), po i ngjet shkuarjes së dikurshme tek dentisti (se tash edhe këtu kanë ndryshuar gjërat për të mirë): kur e dije që nuk ke çare pa e nxjerrë dhëmbin, dhe i luteshe Zotit që disi dhimbja e dhëmbit të kalojë.
Në të vërtetë, siç e dimë të gjithë, edhe pse në aspektin kohor jemi katër javë larg seancës së Kuvendit të Kosovës kur do të votohet prej njërin prej së paku dy kandidatëve për postin e Presidentit, ky konteksti procedural sa po vjen e po koklavitet, kur dihet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka certifikuar rezultatin e zgjedhjeve të fund-dhjetorit (2025).
Nuk qe rendi që të befasohemi për të mirë, as kësaj radhe, në përmbylljen me kohë të rrugëtimit formal të këtij procesi, gjë që kishte rëndësi të posaçme kësaj here, pikërisht për shkak të afatit të fundit kur Kosova duhet të bëhet me President/ Presidente.
Ramë (dhe u rrëzuam) në grackën e hajnive të brendshme partiake, e cila kësaj here pati përmasa të mëdha, madje, të turpshme.
Ende ka punë edhe për KQZ-në, ashtu që pas certifikimit, më në fund t’i hapen dyert legjislaturës së dhjetë (jubilare, do të shtonte dikush), e cila sipas të gjitha gjasave, në të njëjtën seancë, do të duhet të konstituohet si e tillë dhe do të duhet ta votojë edhe Qeverinë e re të Kosovës, e cila do të udhëhiqet nga Albin Kurti, si Kryeministër i Kosovës për herë të tretë.
Më pastaj, dhe këtë orar tani e kemi mësuar të gjithë, duhet të ratifikohen Marrëveshjet ndërkombëtare, duke përfshirë këtu edhe atë të Planit të rritjes (Growth Plan) me Bashkimin Evropian, si dhe atë të anëtarësimit në Bordin e paqes (Board of Peace) me SHBA-në.
Nuk ka dyshim që në te dy këto raste, do të ketë përkrahje të kërkuar prej së paku 80 deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Më në fund, Kuvendi i Kosovë gjatë muajit shkurt nuk ka si t’i shmanget votimit të Buxhetit të Kosovës për këtë vit, sepse në të kundërtën, do të kemi telashe të parashikueshme financiare.
Buxheti kalon me mbështetjen e së paku 61 deputetëve, teksa Qeveria e re e Kosovës me siguri do të ketë më shumë se kaq në anën e saj në përbërjen e re të Kuvendit.
Pra, Kuvendi i Kosovës do të duhej të punonte goxha shpejt, teksa të mos harrojmë që janë bërë 14 muaj të plota që prej se ai nuk ka funksionuar si duhet, për shkaqe të njohura.
Sidoqoftë, janë këtë detyra që mund dhe duhen (madje) të përmbushen.
Nuk ka tjetër opsion për deputetët e këtij Kuvendi.
Në ndërkohë, apo, edhe në vijim e sipër të këtyre veprimeve që janë të arritshme për këtë legjislaturë, realisht, rendi është që të ketë diskutim të ndershëm në skenën politike të vendit për zgjedhjen e Presidentit/ Presidentes së Kosovës.
Asgjë nuk çon kah ky diskutim, kur të kihet parasysh përvoja aspak e mirë e ngërçit politik të vitit të kaluar.
Por asgjë nuk ndalë (po ashtu), politikanët e vendit të mos e bëjnë këtë debat me qëllim të një epilogu të suksesshëm me 4 mars.