Komisioni Qendror Zgjedhor ka paraparë që për organizimin e zgjedhjeve do t’i shpenzojë rreth 5 milionë euro. Por në anën tjetër përfaqësues të shoqërisë civile thonë se zgjedhjet do t’i “djegin” më shumë se 6 milionë euro.
Pesë milionë eurot e ndara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për mbulimin e fushatës zgjedhore nuk do të mjaftojnë për mbarëvajtjen e këtij procesi të parakohshëm zgjedhor.
Edhe përkundër asaj që buxheti i ndarë këtë vit për mbulimin e zgjedhjeve të sivjetme është një milion euro më shumë se në zgjedhjet e kaluara, sipas monitoruesve të zgjedhjeve kjo shumë e planifikuar nuk do të arrijë t’i mbërthejë të gjitha shpenzimet.
Sipas llogaritjeve që këta monitorues kanë bërë, shifra që do ta kapë ky mbulim i operacionit zgjedhor pritet ta arrijë koston prej mbi 6 milionë eurosh.
Në anën tjetër, njohësit e çështjeve ligjore konsiderojnë se mënyra e financimit të subjekteve politike gjatë fushatës zgjedhore është shumë e dyshimtë. Madje sipas tyre financimi i këtyre partive gjatë kohës së fushatës mbetet njëra ndër çështjet më emergjente që duhet zgjidhur vendi. Në Komisionin Qendror Zgjedhor thonë se shifra e buxhetit për mbulim të zgjedhjeve të parakohshme kap vlerën e 5 milionë eurove.
Valmir Elezi, zëdhënës në këtë Komision, bën të ditur se kjo shumë e të hollave do të shkojë në plotësimin e nevojave për zhvillimin e procesit zgjedhor.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 11 maj ka miratuar Planin e Buxhetit për Organizimin e Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Kosovës.Buxheti i aprovuar është në vlerën 4 milionë e 944 mijë e 900 eurove. Shuma e planifikuar e mjeteve ka të bëjë me prodhimin e materialit zgjedhor; transportimin e materialit sensitiv dhe josensitiv; trajnimin e Këshillave të Vendvotimit; pagesat për Komisionet Komunale të Zgjedhjeve; pagesat për anëtarët e Këshillave të Vendvotimeve dhe stafin tjetër ndihmës”, ka thënë ai.
Elezi tregon se kostoja e zgjedhjeve të kaluara ka qenë rreth 4 milionë euro.
“Në shpenzimet për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur në qershor të vitit 2014, kanë qenë 4 milionë e 111 mijë euro”, ka përfunduar Elezi. (Zeri)