Analisti Veton Surroi ka dhënë disa sugjerime për partitë politike pas zgjedhjeve të 7 qershorit.
Surroi, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka renditur pesë sugjerimet e tij ndaj partive, duke përmendur edhe çështjen e presidentit.
Postimi i tij i plotë:
Disa sugjerime partive politike pas zgjedhjeve të 7 qershorit
1. Kosova hyri në krizë politike pas zgjedhjeve të shkurtit 2025 dhe përpjekja për ta zgjidhur atë përmes ndryshimit të raportit të forcave në zgjedhje nuk pati sukses. Raporti i forcave mbeti në zona të përafërta me ato të fillimit të krizës. Kjo sugjeron se Kosova tashmë ka një skenë politike të konsoliduar, e cila nuk pritet të ndryshojë rrënjësisht përmes zgjedhjeve të shpeshta.
2. Zgjedhjet e shpeshta kanë prodhuar një kosto demokratike të matshme. Krahasuar me zgjedhjet e shkurtit 2025, rreth 100 mijë qytetarë më pak morën pjesë në votim. Partitë që kanë qenë në opozitë humbën përpjestimisht më së shumti, pothuajse një të pestën e elektoratit të tyre. Krahasimisht, partia në pushtet humbi vetëm rreth 3.5 për qind të elektoratit të vet.
3. Zgjedhjet e 7 qershorit duhet t’i japin fund iluzionit se ndryshime dramatike politike mund të prodhohen përmes zgjedhjeve të shpeshta apo mbajtjes së vendit në krizë të vazhdueshme. Përvoja e një viti e gjysmë tregon se kriza nuk e ka ndryshuar renditjen e forcave politike; ajo vetëm ka konsumuar energjinë institucionale dhe pjesëmarrjen qytetare.
4. Rezultatet zgjedhore dhanë një qartësi të re për qeverisjen e ardhshme. Subjekti i parë ka marrë më shumë përkrahje zgjedhore sesa tri partitë pasuese së bashku dhe, rrjedhimisht, i takon atij detyra për krijimin e qeverisë. Njëkohësisht, kjo përkrahje nuk e përjashton nevojën për kompromis institucional dhe për ndërtimin e një kulture të bashkëqeverisjes në çështjet që kërkojnë konsensus më të gjerë.
5. Zgjedhja e Presidentit të Republikës duhet të ndërtojë një baraspeshë ndërmjet dy parimeve themelore demokratike:
• Subjekti që ka fituar më së shumti përkrahje nuk e ka të drejtën ta imponojë zgjedhjen e Presidentit vetëm duke u mbështetur në mandatin që ka marrë për të qeverisur vendin.
• Subjektet që kanë fituar më pak përkrahje nuk e kanë të drejtën ta imponojnë zgjedhjen e Presidentit duke u mbështetur vetëm në kapacitetin e tyre bllokues, që buron nga kërkesa kushtetuese për pjesëmarrjen e dy të tretave të deputetëve.