Pothuajse asnjëra legjislaturë në Kosovë nuk ka arritur të përfundojë mandatin kushtetues katër vjeçar, çka ka ndikuar që vendi të shkojë në vazhdimësi në zgjedhje të parakohshme.
Mesatarja e një mandati qeverisës në Kosovë nuk ka arritur të jetë më shumë se dy vjet e gjysmë. Zgjedhjet e fundit të parakohshme ishin mbajtur në qershor të vitit 2014.
Aktualisht, tema kryesore politike, mbetet sërish organizimi i zgjedhjeve të parakohshme, proces ky që besohet se vjen si rrjedhojë e mungesës së funksionimit të institucioneve.
Këto zgjedhje, veç tjerash kanë një kosto të lartë financiare. Sipas llogaritjeve, vlerësohet se për një palë zgjedhje parlamentare në Kosovë, buxheti shpenzon deri në 10 milionë euro.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, i ka thënë “Radios Evropa e Lirë” se kostoja e zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura në vitin 2014, ka qenë mbi 4 milionë euro. “Në shpenzimet për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat janë mbajtur në qershor të vitit 2014, kanë qenë 4 milionë e 111 mijë euro. Sipas kësaj shumë, shpenzimet për një votues kanë qenë 2.3 euro”, sqaron Elezi.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë aktualizuar edhe tani si çështje jo vetëm nga partitë opozitare në Kosovë, por edhe nga partitë e koalicionit, për shkak të bllokadës politike në vendimmarrje, sidomos në Kuvendin e Kosovës.
Shpenzimet për procesin zgjedhor, sipas organizatave joqeveritare të cilat monitorojnë procese të tilla, vlerësohen të arrijnë vlera shumë më të larta se 4 milionë euro.
Albert Krasniqi, analist i Institutit Demokratik të Kosovës, duke folur për “Radion Evropa e Lirë”, thotë se shpenzimet janë milionëshe, por që nuk ka ndonjë përllogaritje të saktë për një pjesë jashtë shpenzimeve zyrtare që bëhen për organizimin e zgjedhjeve.
“Sa i përket kostos financiare përllogaritet që është diku rreth 6 milionë euro që i kushton buxhetit të Kosovës procesi i organizmit të zgjedhjeve, por këtu ka edhe kosto shtesë për shkak se shpenzojnë edhe partitë politike për fushata zgjedhore, po ashtu edhe kandidatët, pastaj dhe organizatat që bëjnë monitorimin e zgjedhjeve dhe kjo kosto arrin 8 deri në 10 milionë euro”, ka thënë ai.
Partitë politike, sipas Krasniqit, nuk kanë qenë transparente në deklarimin e shpenzimeve të tyre që i bëjnë gjatë fushatave zgjedhore dhe kjo, sipas tij, ka bërë që të mos ketë një kosto të saktë të fushatës zgjedhore të partive politike dhe tërë procesit zgjedhor në përgjithësi.
Sidoqoftë, marrë parasysh në tërësi buxhetin e shtetit prej rreth 2 miliardë eurosh, shpenzimet prej 6 milionë euro për procesin zgjedhor, sipas Albert Krasniqi nga KDI-ja, nuk do të duhej të paraqisnin ndonjë problem.
“Demokracia ka një çmim dhe ky është një çmim financiar të cilin ne duhet të paguajmë si shoqëri. Më e rëndësishme se kostoja financiare është institucionet që dalin nga këto zgjedhje dhe çfarë këto institucione do të përfaqësojnë pasi që të kryhen zgjedhjet”, ka thënë Krasniqi.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili është përgjegjës për organizimin dhe implementimin e zgjedhjeve në Kosovë, thotë se është i përkushtuar për të përmbushur detyrimin e vet kushtetues për të organizuar zgjedhje kurdo që një gjë e tillë kërkohet.