Drejtuesi i Institutit për Afirmimin e Marrëdhënieve Ndëretnike, Fatmir Sheholli në një intervistë për Ekonomia Online tha se Kosova nuk ka qenë kundër mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë.
Por sipas tij, mbajtja e tyre nuk duhej që të cenonte kushtuetshmërinë e vendit, duke shtuar se Serbia është dashur që të marrë leje për mbajtjen e tyre, pra ta pranojë shtetësinë e Kosovës.
“Tani më kemi një vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe kryeministrit të Qeverisë. Ajo që është e mirë, është që duhet ta themi që Kosova nuk ka qenë kundër këtyre zgjedhjeve të mbahen. Por, të mbahen me ligjshmëri dhe kushtetutshmëri të vendit tonë”.
“Në këtë kuptim edhe kryeministri po edhe të gjitha institucionet e tjera në Kosovë kanë pohuar të drejtat të cilat u takojnë njerëzve me dyshtetësi në këtë rast serbëve në Kosovë. Unë konsideroj që njëherë e përgjithmonë është shumë mirë që është marrur ky vendim që Serbia ta kuptoj se në Kosovë mund të mbaj zgjedhje, por gjithsesi me marrëveshje që nënkupton edhe pranimin e shtetësisë së Kosovës”.
Sheholli thotë se mund të jetë është shqetësuese situata pas tre prillit, ngase është paraajmëruar që përfaqësuesit e serbëve në institucionet e Kosovës do t’i bojkotojnë ato.
“Ajo që në të ardhmen pas zgjedhjeve, pas 3 prillit shihet një shqetësim, arrogancë politike e përfaqësuesve të serbëve në Kosovë të cilët në takim me Vuçiqin që nëse nuk u lejohet serbëve që të votojnë ashtu siç ata menduar me vendvotime e të tjera atëherë do të bojkotojshin institucionet e Kosovës. Bile, bile ka pasur kërkesa të tilla që kanë shkuar deri aty që serbët të largohen krejt nga Kosova, por po më duket kjo ka qenë një floskul politike e tyre e cila kinse ne po i thojmë Vuçiqit kështu e pastaj Vuçiqi me dal si shpëtimtar i tyre që po e shpëton popullatën serbe në Kosovë”.
Sipas tij, është pikëpyetje se nëse Lista Serbe e organet ilegale mund të bëhen më arrogante ndaj institucioneve të Kosovës.
“Çka do të ndodh pas gjithë kësaj që serbët nuk do të munden të votojnë këtu se ata kush dëshiron me shku le të shkon le të voton, është e drejtë e tyre njerëzore. Por, a do të bëhen më arrogant ndaj institucioneve të Kosovës, veçanërisht Lista Serbe po edhe organet ilegale të cilat gravitojnë në Kosovë, këtë mbetet ta shohim. Ne si institut me aktivistët tonë jemi në terren dhe në këtë kuptim po punojmë dhe po angazhohemi që t’i shohim këto shqetësimet e serbëve të Kosovës, serbëve lokal, serbëve që e dëshirojnë këtë shtet të Kosovës. Natyrisht që duhet të kemi angazhim më të madh nga kryeministri i republikës së Kosovës që të bashkëbisedoj me qytetarët serb”.
Ai thekson se edhe pse ka kosovarë që i kanë dy nënshtetësi edhe të Kosovës edhe të Shqipërisë e nuk hapen vendvotime enkas për ta, prandaj sipas tij, duhet angazhim i sinqertë i serbëve lokal me institucionet e Kosovës, raporton EO.
“Nëse është e interesuar Serbia për ndonjë çështje e cila nuk i shkon në favor asaj së pari besoj që do të ketë fiasko politike përsëri. Unë nuk i preferoj Serbisë që të bëjë probleme në veri, për arsye se nuk ka kurrfarë arsye ata mund të jenë të zhgënjyer dhe mund të mos u pëlqej kjo formë që duhet të shkojnë të votojnë. Por mos harroni që shqiptarët, ne që i kemi edhe pasaportat e Shqipërisë nuk hapim vendvotime të Shqipërisë në Kosovë, por shkojmë në Shqipëri votojmë. Nuk duhet të hidhërohemi, duhet bashkëpunim me institucionet e Kosovës dhe duhet angazhim i sinqertë në bazë të ligjeve dhe shtetësisë së Kosovës. Nëse janë të interesuar për çështje të tjera në veri, ata mund të bëjnë por duhet ta kuptojnë që do të veproj ligji mbi ta, siç po veprojnë në shumë raste të caktuara edhe ndaj serbëve edhe ndaj shqiptarëve”.