Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është i gatshëm për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, mirëpo ende i mungon një anëtar nga radhët e koalicionit PAN e kjo gjë nuk pritet ta pengojë procesin zgjedhor. Në bazë të praktikave të mëhershme, KQZ-së në total i duhen 4 milionë euro për ta mbuluar koston e zgjedhjeve, shkruan sot Gazeta ‘Zëri’.
Në rast të shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, më 22 gusht (e enjte), Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është i gatshëm t’i fillojë përgatitjet menjëherë pasi presidenti Hashim Thaçi ta caktojë datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Pavarësisht se viti 2019 nuk është pritur të jetë vit zgjedhor, përfaqësues të këtij institucioni thonë se KQZ-ja është e gatshme për zgjedhje, ndonëse sipas tyre ende nuk është caktuar kostoja që do t’i mbulonte shpenzimet e tyre, shkruan më tutje Gazeta Zëri.
Zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2017 buxhetit të Kosovës i kanë kushtuar rreth 4 milionë euro dhe një shumë e përafërt pritet të ndahet përsëri nga “kuleta” e shtetit për organizimin e tyre në këtë vit.
Derisa shumica e partive i kanë tashmë përfaqësuesit e tyre në KQZ, koalicionit PAN i mungon një anëtar në këtë institucion.