Kur kanë mbetur afro 6 muaj nga mbajtja e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri i ka kujtuar partive politike afatet ligjore të regjistrimit dhe ndëshkimet në rast se do tentojnë të shkelin Kodin Elektoral.
Sipas KQZ, afati për regjistrimin që iu është lënë në dispozicion partive është 21 prilli. Ndërsa afati i fundit për koalicionet është lënë data 1 Maj dhe deri në 13 Maj duhet të dorëzohen listat me kandidatët për këshilltarë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, teksa sqaron se fushata zgjedhore do të nisë më 31 Maj, u kujton partive politike të mos nisin fushatën para kësaj date. Njëherazi KQZ-ja paralajmëroi subjektet politike se do të merren sanksione ndaj tyre nëse nuk respektohet transparenca në lidhje me financimet e partive.