Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog e ka vlerësuar faktin se votuesit kanë dala të votojnë sot në Podujevë e Mitrovicë të Veriut, përkundër kufizimeve për shkak të Coronavirusit.
Ai përmes një shkrimi në rrjetin social Twitter, ka lavdëruar edhe punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“I vlerësoj votuesit që morën pjesë në Podujevë dhe Mitrovicën Veriore në ditën e zgjedhjeve, edhe pse pati kufizime për shkak të Covid-19. Përfshirja aktive e qytetarëve është e rëndësishme për një proces të besueshëm zgjedhor dhe demokracinë. Punë e mirë është bërë edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, shkruan ai.
Lëvizja Vetëvendosje është shpallur fituese e zgjedhjeve në Podujevë, ndërsa Lista Serbe në ato që u mbajtën sot në Mitrovicën e Veriut.
Kandidati i VV’së, Shpejtim Bulliqi ka fituar pa balotazh në komunën e Podujevës, duke marrë 51.64 përqind të votave.
Bulliqi në këto zgjedhje pasohet nga Nexhmi Rudari i LDK’së, më 35.97 përqind, dhe PDK në vendin e tretë, ku Naim Fetahu mori 12.40 përqind të votave.
Ndërkaq, Lista Serbe fitoi bindshëm në Mitrovicën e Veriut, ku ka marrë 89.86 përqind të votave, pasuar nga VV më 3.68 përqind, PDK më 3.54 dhe Dusan Milunovic 2.92 përqind.
Kujtojmë se komuna e Podujevës dhe ajo e Mitrovicës së Veriut shpallën zgjedhjet pasi dy ish-kryetarët, Agim Veliu e Goran Rakic morën poste në Qeverinë Hoti.
Zgjedhjet janë zhvilluar në kushte më ndryshe prej herëve të kaluara, duke marrë parasysh situatën me pandeminë.