Zgjedhjet në veri, asnjë lëvizje për peticionin që do t’ia shkarkojë kryetarët

Prishtinë | 21 Sht 2023 | 17:48 | Nga Ekonomia Online

Janë bërë 16 ditë prej që është publikuar në Gazetën Zyrtare Udhëzimi Administrativ për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarëve nga funksioni. Tashmë, hapi i radhës u takon qytetarëve serbë, që të nisin procedurat për inicimin e peticionit. Deri më tani, nuk është bërë publike nëse ka pasur ndonjë iniciativë të serbëve lokalë. Nga MAPL dhe KQZ nuk kanë treguar nëse kanë pranuar njoftim për këtë çështje.

Më 5 shtator udhëzimi administrativ për zgjedhjet në Veri është publikuar në Gazetën Zyrtare, gjë që i mundëson qytetarëve serbë në veri që të nisin procedurat për t’i rrëzuar kryetarët aktualë në katër komunat veriore.

Deri tash nuk është bërë publike nëse ka ndonjë nismë nga qytetarë serbë në katër komunat veriore.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në MAPL dhe KQZ nëse kanë pranuar njoftime nga kryesuesit e kuvendeve komunale për nisma të tilla, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Deri tani nuk është dhënë ndonjë datë e përafërt se kur mund të mbahen zgjedhjet e reja, por pavarësisht se kur mbahen, ende nuk ka garanci nga Lista Serbe që të marrë pjesë në to.

Ata që nga largimi nga institucionet kanë këmbëngulur në krijimin e asociacionit dhe tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu.

Ndërsa, në takimin e 14 shtatorit në Bruksel, sipas BE’së u trajtuan çështje aktuale, pa specifikuar se cilat. Mirëpo, pas takimit, për zgjedhje folën presidenti serb, kryeministri kosovar dhe përfaqësuesi i lartë i BE’së, Josep Borrell.

Fillimisht, Aleksandar Vuçiq tha se nëse kryetarët japin dorëheqje ai do të bëjë “çmos” që t’i bindë serbët të marrin pjesë në zgjedhjet e reja të parakohshme.

“Nëse kryetarët shqiptarë japin dorëheqjen, do të bëj çmos që serbët të marrin pjesë në zgjedhje”, tha ai.

Ndërkaq, më vonë, në një konferencë për media, Borrell tha se dorëheqja e kryetarëve aktualë është mënyra më e mirë dhe më e shpejtë, derisa për peticionin tha se nuk është i sigurt.

“Zgjedhjet mund të shpallen përmes dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave në Veri të Kosovës ose përmes mbledhjes së nënshkrimeve nga serbët e Kosovës për t’i shkarkuar kryetarët. Më lejoni që ta sqarojë se BE e sheh dorëheqjen e kryetarëve, të cilët janë zgjedhur vetëm nga 3 për qind e popullsisë, si mënyrën më të mirë dhe më të shpejtë për të mbajtur zgjedhje të parakohshme. Procedura tjetër, kërkimi i nënshkrimeve, nuk është e sigurt. Serbët e Kosovës pritet që të tregojnë konstruktivitet dhe të angazhohen, pa kushte, në procesin zgjedhor, ata duhet të marrin pjesë… dhe mirëpres garancinë që mora sot nga presidenti Vuçiq për këtë. Nëse nuk ka progres në zgjedhje, rreziku”, tha Borrell.

Pas Vuçiqit e Borrellit, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti iu drejtua mediave, ku foli edhe për zgjedhjet në Veri.

Ai tha se nuk do të kërkojë dorëheqjen e kryetarëve aktualë, derisa këmbënguli që peticioni është rruga demokratike dhe ligjore.

“Unë jam i interesuar për zgjedhje të parakohshme sa më parë, mirëpo nuk mund ta detyrosh askënd në dorëheqje në emër të askujt, kjo duhet të bëhet duke e respektuar udhëzimin administrativ që thotë se duhet organizuar peticioni me 20 për qind të nënshkrimeve të trupit elektoral në komunën përkatëse, në mënyrë që pastaj të organizohet votimit drejt përfundimit të mandatit të kryetarit. Kjo është rruga ligjore, demokratike nga poshtë, imponimet nga lartë nuk janë demokratike dhe as të mirëseardhura”, tha Kurti.

“Antikushtetues”

Ky udhëzim administrativ, nga njohës të çështjeve juridike, është vlerësuar si “antikushtetues”.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka thënë se ky udhëzim administrativ është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Ai e mbështet këtë qëndrim te mungesa e një Ligji për iniciativë qytetare apo referendum.

“Jo, sepse caktimi i të drejtave dhe detyrimeve, dhe mënyra e realizimit të tyre, duhet fillimisht të përcaktohet me ligj. Kushtetuta kërkon ligj. Këtu bëhet fjalë për demokracinë e drejtpërdrejtë, që është kategori kushtetuese, dhe mënyrat e realizimit të saj përcaktohen me ligj, zakonisht quhet Ligj për iniciativën qytetare, Ligj për referendum, ose Ligj për referendum dhe iniciativë qytetare. Kushtetuta tregon se çka mund të jetë dhe çka nuk mund të jetë subjekt i referendumit. Pastaj, ligjvënësi është i lirë që t’i përcaktojë këto dy çështje. Por, këto dy çështje nuk i ka rregulluar Kuvendi i Kosovës, dhe për pasojë ky udhëzim e ka uzurpuar një autorizim ligjor të Kuvendit, dhe e ka normuar një çështje që është dashur të normohet me Ligjin për iniciativën qytetare”, tha Hasani për REL.

Drejtori ekzekutiv i IKD’së, Ehat Miftaraj, disa ditë më parë i ka thënë Expressit se udhëzimi administrativ nuk e plotëson kornizën ligjore duke thënë se në bazë të një analize paraprake IKD vlerëson që udhëzimi nuk është në harmoni me ligjin dhe kushtetutën.

“Në të vërtetë ky udhëzim administrativ nuk është që e plotëson kornizën ligjore, po flasim për një udhëzim administrativ që është publikuar sot dhe në bazë të një analize paraprake të IKD’së, ky udhëzim administrativ nuk është në harmoni me ligjin dhe kushtetutën. Sidoqoftë, në ditët në vijim, IKD do të dalë me një qëndrim dhe analizë lidhur me këtë udhëzim”, tha ai.

Ndërsa detaje për udhëzimin administrativ kanë dhënë nga KDI disa ditë para publikimit nga ministri Krasniqi. Ata kanë që drafti i përgatitur nga MAPL-ja ka tejkaluar përcaktimet ligjore të ligjit për vetëqeverisjen lokale.

“Në njërën anë, MAPL-ja ka përcaktuar procedura, afate dhe obligime në kuadër të iniciativës që shkojnë përtej ligjit, e në anën tjetër, nuk ka adresuar paqartësitë në zbatimin e dispozitave në fuqi.”

Të ngjashme