“Zgjedhjet në veri ishin mina mbi të cilën fatkeqësisht shkelëm”: Lajçak thotë se dialogu është kthyer në menaxhim të krizave

Prishtinë | 22 Kor 2023 | 11:51 | Nga Ekonomia Online

Zgjedhjet lokale të prillit në katër komunat veriorew të banuara me shumicë serbe “ishin mina mbi të cilën fatkeqësisht shkelëm”, ka thënë emisari evropian i ngarkuar me lehtësimin e dialogut Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, duke folur në një intervistë për median austriake “Kurier”.

Lajçak dule folur për tensionet e fundit në veri të Kosovës dhe Marrëveshjen Bazë për normalizim të marrëdhënieve të arritur në Bruksel dhe Ohër, përdori sërish metaforën e “minave” të cilën ka kohë që e përmend.

“Marrëveshja e marsit ishte një hap i madh në normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Ne dimë saktësisht se çfarë duhet bërë. Por ka shumë ‘mina përgjatë rrugës’ mbi të cilat nuk duhet shkelur. Zgjedhjet lokale të prillit ishin një e tillë mbi të cilën fatkeqësisht shkelëm. Aktualisht përqendrimi ynë nuk është më në normalizim, por në menaxhim të krizave”, ka thënë emisari evropian.

Pyetur nga media austriake se a është kësisoji BE-ja ajo që ka gabuar, Lajçak shprehet se “ne mbase edhe bëjmë më shumë se që mundemi”.

“Kur më caktuan në këtë pozitë dialog s’kishte për dy vite. E para detyrë ime ishte ta ringjallja dhe ta vendosja BE-në në karrigen e vozitësit. Nuk është arritje e vogël. Ne sigurojmë platformën e dialogut, por suksesi varet nga dy palërt. Ne mbase bëjmë edhe më shumë se që mundemi”, tha emisari.

Duke folur për kritikat që gjerësisht rëndojnë mbi BE-në por edhe vetë atë si fascilitues se po përdoret qasje e butë ndaj Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksandar Vuçiq, diplomati sllovak shprehet megjithatë se “të punuarit në mënyrë të paanshme është detyrë e imja”.

Për atë se janë pesë vende brenda unionit evropian të cilat refuzojnë të njohin shtetësinë e Kosovës, dhe se sa paraqet kjo problem për dialogun Kosovë-Serbi, Lajçak shprehet se ai flet në emër të 27 shteteve të BE-së, por se shtetet individuale vendosin vetiu rreth çështjes së njohjes apo mosnjohjes.

“Por, pesë shtetet që përmendët e ndjekin dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës me vëmendje të madhe”, i tha Miroslav Lajçak medias austriake, derisa u shpreh edhe se rezultati i dialogut “do t’i afektojë ato”.

“Nuk po flas për një vend, por për të 27 vendet e BE-së. Ata duhet të vendosin vetë për këtë çështje. Por, pesë të përmendurit e ndjekin me vëmendje të madhe dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ata e dinë se cilido qoftë rezultati, ai do të ndikojë tek ata. Por të gjithë duan një normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe mbështesin marrëveshjen e marsit”.

Lajçak foli edhe për vështirësitë mes Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiq për të biseduar me njëri tjetrin, por edhe evoluimi i tyre në bisedime. Ai e jep se krahasuar me para dy viteve, raporti mes tyre është më i mirë.

Diplomati shprehet se ata dy “vëzhgohen afër” nga qytetarët e vendeve të tyre dhe se për shkak të presionti qytetar që kanë, u ka shkuar një kohë e gjatë për të zhvilluar “marrëdhënie pune”.

“Të dy e kuptojnë se sa i rëndësishëm është ky dialog për ta. Në të njëjtën kohë, është shumë e vështirë për ta. Sepse edhe Vuçiq edhe Kurti e dinë se çdo gjë për të cilën bien dakord do të shikohet nga afër nga qytetarët e tyre dhe publiku. Për shkak të këtij presioni, atyre iu desh një kohë që të krijonin një marrëdhënie pune. Mbaj mend që takimi i parë në 2021 nuk ishte i lehtë. Më pas ata mësuan të dëgjonin njëri-tjetrin dhe të mos pajtoheshin me respekt në vend që të fyenin njëri-tjetrin. Tani i jemi kthyer menaxhimit të krizave”, shtoi Lajçak.

Miroslav Lajçak pret që Marrëveshja e Ohrit të nis të jetësohet derisa shprehet se pritja nuk ndihmon. “Ne krijuam këtë momentum në pranverë, duhet ta përdorim”, thotë Miroslav Lajçak.

Të ngjashme