Qeveria “Haradinaj” ka arritur ta çojë gati në gjysmë mandatin e saj pavarësisht mungesës së numrave të nevojshëm në Kuvend dhe kërkesës së vazhdueshme të opozitës për rrëzimin e saj, por edhe pakënaqësive të partnerit të madh të koalicionit qeverisës (PDK) me taksën.
Megjithatë, analistët politikë vlerësojnë se me shumë gjasë vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare këtë vjeshtë.
Menjëherë pas formimit të Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj dy partitë më të mëdha opozitare, LDK-ja e LVV-ja, kishin nisur të paralajmëronin rrëzim të Qeverisë, respektivisht zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Por ndonëse janë bërë rreth një vit e gjysmë prej formimit të Qeverisë aktuale opozita nuk ka ndërmarrë asnjë hap konkret që do të çonte drejt zgjedhjeve të parakohshme.
Ndërkohë, pos opozitës, me rrëzim të Qeverisë kohët e fundit kanë kërcënuar edhe presidenti Hashim Thaçi e kryeparlamentari Kadri Veseli.
Derisa kreu i shtetit në tetor të vitit të kaluar i pati bërë thirrje Haradinajt që të “korrigjohej” rreth çështjes së dialogut, kreu i Kuvendit gjatë këtij muaji tha se nuk rri as dy ditë në një Qeveri e cila i cenon raportet me ShBA-në.
Këto kërcënime nga ana e dy liderëve institucionalë kanë ardhur si pasojë e këmbëngulësisë së kryeministrit për moskorrigjim të kufijve dhe për mossuspendim të taksës së vendosur ndaj produkteve serbe.