Vetëvendosje humbësja e zgjedhjeve lokale, i fiton vetëm 4 komuna

Prishtinë | 14 Nën 2021 | 22:07 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje si duket është partia humbëse në zgjedhjet lokale në Kosovë, me më së paku komuna në të cilat ka fituar në krahasim me partitë e tjera të mëdha, shkruan Lajmi.net.

Në raundin e parë të zgjedhjeve, Vetëvendosje nuk ka fituar në asnjë komunë, ndërsa ka shkuar në balotazh në 12 prej tyre.

Në balotazh, Vetëvendosje ka fituar vetëm në katër komuna, ku Alban Hyseni ka fituar në Komunën e Gjilanit me 51.03 për qind të votave, duke lënë mbrapa Lutfi Hazirin e LDK-së me 48.97 për qind të votave.

Vetëvendosje ka fituar edhe në Kamenicë, ku Kadri Rahimaj ka fituar 53.11 për qind të votave duke lënë mbrapa Qëndron Kastratin e PSD-së me 46.89 për qind të votave.

Në Komunën e Podujevës, Shpejtim Bulliqi i Vetëvendosjes ka fituar me 51.84 për qind të votave, duke e mundur Ekrem Hysenin e LDK-së, i cili ka marrë 48.16 për qind të votave.

Komuna e katërt ku Vetëvendosje ka fituar është ajo e Shtimes, ku kandidati i saj, Qemajl Aliu, ka marrë 50.71 të votave, duke e mundur kështu Naim Ismajlin e PDK-së, i cili ka marrë 49.29 për qind të votave.

Kujtojmë se në këto zgjedhje lokale, Partia Demokratike e Kosovës e cila ka fituar në nëntë komuna.

Të ngjashme