Lirimi i tre policëve tanë dhe kthimi i tyre në Kosovë është lajm i jashtëzakonshëm për familjet e tyre, për policinë, Kosovën dhe tërë shqiptarët.
Sigurisht krejt kjo sagë në raport me policinë tonë duhet të na bëjë të vetëdijshëm për nevojën e respektit të punës së tyre, që gjithmonë është punë me përgjegjësi të lartë dhe me rreziqe edhe për sigurinë e tyre personale.
Kjo duhet ta vetëdijesojë edhe politikën tonë për trajtimin sa më me dinjitet të policëve tanë, përfshirë detyrat të cilat ua ngarkon.
E në anën tjetër kjo situatë, sikur çdo gjë që po ndodh me veriun e vendit dhe raportet me Serbinë e bën të domosdoshme edhe njëherë nevojën që të orientohemi si qeveri, shtet e shoqëri në zgjidhjen e këtyre problemeve përmes metodave politike.
Përkundër se duket e vështirë, nuk ka rrugë tjetër. Vetëm në betejën politike dhe me zgjidhje të duhura e të drejta për veriun e vendit e duke përfshirë në këto zgjidhje parimin e reciprocitetit edhe për Kosovën Lindore, mund të dalim fitues.