Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku me bashkëpunëtorë dhe zëvendësministri Fehmi Mujota vizituan Komunën e Deçanit, ku u takuan me kryetarin e kësaj komune, Rasim Selmanaj.
Më pas, ministri Zharku përuroi përfundimin e punimeve për fazën e parë të projektit të asfaltimit të rrugës Deçan – Kozhnjerë tek ura në fshatin Lloqan.
Ministri Zharku shprehu kënaqësi që gjendet në Deçan, për të përuruar projektet infrastrukturore, të cilat janë të nevojshme për qytetarët e Deçanit.
“Asfaltimi i fazës së parë të rrugës Deçan-Kozhnjerë ka një rëndësi të veçantë sepse mundëson lidhjen e shqiptarëve në të dy anët e kufirit me Malin e Zi. Do të mundohemi që së bashku me Qeverinë të bëjmë zgjidhje në financimin e kësaj rruge deri në përfundimin e saj. Ne do të vazhdojmë me investimin e projekteve të tjera në këtë komunë edhe në vitin tjetër”, tha ministri Zharku.
Kryetari Selmanaj falënderoi ministrin Zharku për financimin e këtyre projekteve infrastrukturore në komunën e Deçanit.
Po ashtu, ministri Zharku inauguroi në qendër të Deçanit projektin për asfaltimin e rrugës “Dëshmorët e Deçanit”, ndërsa në rrugën e Dobrunjave inauguroi projektin për asfaltimin e rrugës “Isa & Valdet Kuçi” (drejtimi Kanali i Belegut) dhe në fshatin Isniq inauguroi projektin për asfaltimin e rrugëve.