Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, konsideron se ligji i ri për Rregullat e Trafikut Rrugor, ka shpëtuar shumë jetë, dhe ka pasur rezultate. Ai ka treguar për punët që janë kryer, dhe ato që janë në plan të kryhen. Zharku në një intervistë për lajmi.net, ka treguar se kur do të bëhet me pagesë kalimi në autostradën e Kosovës. Zharku ka thënë se në fund të vitit të ardhshëm do të nis autostrada deri në Merdare. Zharku ka folur edhe për komunikacionin e Prishtinës, investimet në rrugët rajonale, Autostradën e Shkupit…
Lajmi.net: Çka e ka karakterizuar këtë vit?
Lutfi Zharku: Vazhdimi i autostradës “Arbën Xhaferi” për Shkup, një projekt i madh që ka filluar këtë vit është zgjerimi i rrugës Prishtinë-Podujevë, apo e kundërta, po thuajse përfundimi i projektit prej Gjurgjicë në Kijevë dhe fillimi punëve prej Zahaqi në Pejë. Këto janë punët që mund të them se kanë qenë më të mëdha. Janë filluar shumë projekte komunale, i kemi nënshkruar mbi 20 memorandume me Kuvendet Komunale, në ato memorandume janë të përfshira afër 56 projekte komunale, janë kryer mbi 130 kilometra rrugë gjatë këtij viti, përfshirë 20 kilometra autostradë dhe 80 kilometra rrugë komunale etj. Kemi filluar në punën e patentë shoferëve, monitorimin me kamera, e kemi bërë projektin I shoferi, kurse presim me finalizu muajt e parë të vitit të ardhshëm edhe I testimin. Jemi të kënaqur që në fushën e aviacionit nuk kemi pasur problem me pasagjer, nuk na kanë mbetur pasagjer në aeroport, vetëm disa probleme të vogla që kanë qenë.
Lajmi.net: Sa ka pasur rezultat ligji i ri për gjobat në komunikacion?
Lutfi Zharku: Shënimet e para kemi pasur rezultat, apo më mirë të themi kemi shpëtuar shumë jetë. Ka pasur rënie të aksidenteve me fatalitet, që nënkupton që janë përfshirë vdekjet. Sipas shënimeve të para që i kemi kjo ka pasur një zbritje prej afër 50 për qind, muajin dhjetor, dy javët e para nuk kemi pasur asnjë aksident me fatalitet. Jam i të kënaqur se kemi arritur të shpëtojmë jetë.
Lajmi.net: Ligjit po i bindet qytetarët?
Lutfi Zharku: Natyrisht që i binden. Nëse bëhet zbatimi i duhur, e ka tragetin e duhur, qëllimin e duhur, besoj që qytetarët e përkrahin çdo ligj që është në të mirë të tyre.
Lajmi.net: Kur do të nis zgjerimi i rrugës për Gjilan?
Lutfi Zharku: Projekti është kryer, buxhetin e vitit të ardhshëm, dhe për tri vitet e ardhshme është parapa plotësisht pjesa e parë. Shuma është e vogël për vitin e parë, megjithatë ne do ta kryejmë kontraktimin dhe vitin e ardhshëm do ta kemi inaugurimin e punimeve në autostradën e Gjilanit. Kemi nda në dy pjesë, prej Prishtine në Bresalc, dhe pjesa e dytë nga Bresalci deri në Dheun e Bardhë. Presim që pjesën e parë të kryejmë me buxhetin e Kosovës, kurse pjesën tjetër, nëse mundemi të gjejmë financim nga ana e institucioneve financiare ndërkombëtare.
Lajmi.net: A ka mundur të bëhet autostrada për Shkup me koncesion, a i ka plotësuar kriteret?
Lutfi Zharku: Tash është pak vështir të flitet për çështjet që kanë përfunduar, disa koncesioni nëpër rrugë tjera nuk kanë pasur sukses. Ne i kemi parë problemet që i ka qeveria shqiptare, vetëm të mirëmbajtjes e lëre më për ndërtimin e një rruge. Me kolegët tanë shpesh, me homologët në takime të rregullta që i kemi, flasim për këto çështje, për kontraktime që i kanë bërë, por nuk do të thotë se janë të gjithë të kënaqur me koncesionimet që i kanë bërë.
Lajmi.net: Më e mirë autostrada e Kosovës, apo e Shqipërisë?
Lutfi Zharku: E jona, përkundër asaj që e ka kryer e njëjta kompani, autostrada e jonë është më e mirë. Është vlerësim i përgjithshëm, i të gjithëve.
Lajmi.net: Kur do të bëhet me pagesë autostrada e Kosovës?
Lutfi Zharku: Jo në këtë mandat, dhe nuk besoj që do të duhej të bëhet pa u kryer autostrada deri në Han të Elezit. Kur të kryhet edhe për Shkup, do t’i kemi 120 kilometra për secilindo koncesionar, kështu që oferta jonë do të jetë në favor të qytetarëve të Kosovës.
Lajmi.net: Kthehemi pak te partia që i takoni. Një sondazh që doli para disa ditësh liderin e LDK-së nuk e nxorri shumë të pëlqyer tek të rinjtë. Besoni se qëndron kjo?
Lutfi Zharku: Unë i rri prapa qëndrimit të kryetrarit tonë, dhe kryeministrit, se nuk besoj që dhunën e duan të rinjtë, nuk besoj të rinjtë pavarësisht problemeve që i kanë, e përkrahim partinë institucionale, siç është LDK-ja. Pa hy në ngjyrime politike se sa është i saktë, më shumë i shohë si të porositura, por edhe një luftë politike se gjëja LDK nuk është ku ka qenë më herët.
Lajmi.net: Cilin sukses të kësaj qeveria e kishe përmend?
Lutfi Zharku: Reformat fiskale, përmirësimin e ambientit për biznes, dhe hapi më i madh ngritja e buxhetit nga 1 miliard e 700 milionë, në dy miliardë. Kjo tregon përkushtimin e qeverisë për përmirësimin e jetës dhe investimin në sferat që e përmirësojnë jetën.
Lajmi.net: A i është rritur buxheti ministrisë që e drejton, apo i është zvogëluar?
Lutfi Zharku: Në realitet i është rritur, mos të themi fal pjesës që ka të bëj për autostradë, sepse duhet t’i përmbahemi kontratës, por edhe është rritur buxheti edhe për kujdesën që po iu kushtohet rrugëve të reja.
Lajmi.net: Kur mendoni se Kosovë nuk do të ketë nevojë për një buxhet kaq të madh për rrugë?
Lutfi Zharku: Nëse të gjitha projektet do të kryhen me kohë, pres më 2020 eventualisht 2021 Kosova ta përfundojë rrjetin rrugor bazë e përgjithshëm.
Lajmi.net: Cili kryetar i komunës ka sjell më së shumti projekte?
Lutfi Zharku:Të gjithë kanë pru, i bie që dike ta lavdëroj, por jemi munduar me i përfshi në buxhetin e vitit të ardhshëm. Po kjo është punë, që një kryetar i sjell 10 projekte, e gjysmën bile ia financojmë, por në parim jam i bindur që të gjithë kryetarët e komunave janë të kënaqur me përfshirjen e projekteve të tyre në buxhetin e Ministrisë së Infrastrukturës.
Lajmi.net: : Sa ka qenë kualitet asfalti tash dhe më herët?
Lutfi Zharku: Unë insistoj që mos të preket kualiteti, përkundër asaj që ne kemi problem me kompani për shkak të ofertave të lira. Shpesh na ndodhë që rrugët që kanë kalueshmëri të madhe i kushtojmë rëndësi më shumë, sesa një rruge të fshatrave. Rrugët rajonale dhe nacionale i kushtojmë shumë kujdes.
Lajmi.net: Kur pritet të lidhen autostrada e Kosovës me të Serbisë që do të krijohet një korridor me financim të BE-së?
Lutfi Zharku: Presim në fund të vitit të ardhshëm, jemi shumë përpara Serbisë me projektet tona që i kemi bërë, është kryer studimi i fizibilitetit, pothuajse plotësisht traseja dhe po punohet në detaje. Në fund të vitit 2017 po presim të fillojmë, kurse Serbia mund të vonohet edhe një vit më tutje.
Lajmi.net: Ku do ta prisni Vitin e Ri?
Lutfi Zharku: Në shtëpi, me familje, 6 vëllezër, me motra. Jemi 40 anëtarë. E presim në restorantin e vëllait, por që është traditë me vite.
Lajmi.net: Çka mendoni se ka ndryshuar në Prishtinë nga qeverisja e Vetëvendosjes?
Lutfi Zharku: Nëse e shohim sheshin që ka mbetur prej kohës së kryeministrit kur ka qenë kryetar komune, në realitet tjetër s’ka ndryshuar. Rrugët tjera nuk shoh diçka zhvillim. Tash e kemi zgjerimin e rrugës për Veternikë dhe do t’i ndihmojmë Prishtinës, në prishjen atyre urave dhe ndërtimin e të rejave.
Lajmi.net: Qysh mendoni se do të zhbllokohet komunikacioni në Prishtinë, pasi ende vazhdon të jetë problem?
Lutfi Zharku: Vitin e ardhshëm do të ketë rezultate evidente për çlirimin e komunikacionit.