Lëvizjet e Edon Zhegrovës me top kur ishte fëmijë, janë goxha të ngjashme me ato që i bënte si fëmijë e që vazhdon t’i bëjë ylli i Barcelonës, Lionel Messi.
E pikërisht për lëvizjet dhe mënyrën e lojës, Zhegrova, 18-vjecar, në Kosovë e në Belgjikë po njihet si “Messi i Kosovës”, shkruan sot “Koha Ditore”. Por Zhegrova e di se është ende larg cilësisë dhe lojës që e zhvillon ylli argjentinas. Megjithatë, ka besim se një ditë do të arrijë të luajë në nivel të lartë evropian.
“Ëndrra ime është të luaj për Barcelonën. E di që tingëllon ambicioze kjo, por unë besoj shumë në punën time. Vetëm me punë mund t’ia arrij. Talentin e kam. Liga e Spanjës më përshtatet shumë. Jam lojtar teknik”, ka thënë Zhegrova, që tash luan në ekipin belg Genk.
Në disa video të mëhershme të postuara në “Youtube”, Zhegrova shihet duke dribluar bashkëmoshatarët e tij. Në shpinë mban numrin dhjetë dhe driblimet e tij bëhen me këmbë të majtë në krahun e djathtë të fushës, pozitë në të cilën luan edhe Messi.
Zhegrova që para pak muajsh mbushi 18 vjet, të shtunën e kaluar zhvilloi ndeshjen e dytë për skuadrën Genk, që garon në elitën e futbollit të Belgjikës.