Analisti Xhevdet Pozhari, i cili është njohur për qasjen e tij pro-Qeverisë së Vetëvendosjes, së fundmi ka folur për çështjen e pagës minimale në Kosovë ku edhe ka çuditur publikun me një porosi që ua ka drejtuar sidomos të rinjve.
Në një postim në Facebook, Pozhari dje ka krahasuar pagën aktuale minimale në Kosovë me ato të vendeve të rajonit.
Ai ka thënë se Kosova aktualisht e ka pagën minimale më të ulët në Ballkan, por se ka thënë se ajo do të mbetet më e ulëta edhe pas rritjes së saj nga Qeveria e Kosovës. Po ashtu, ai ka thënë se Kosova ka edhe pensionet më të ulëta.
Çuditërisht, Pozhari s’është kursyer aspak karshi situatës duke thënë: “Nëse jeni i ri/e, thjeshtë kapni valixhet. Nuk ka sen këtu”.
“Përndryshe, Zvicra konsiderohet si një prej shteteve më stabile. Paga mujore e një mësuesi është 7.292 CHF, e ajo vjetore: 87.500 CHF. Ndërsa, në Norvegji, paga mesatare është 4.500 euro. Nëse jeni i ri/e re, thjeshtë kapni valixhet! Nuk ka sen këtu”, ka shkruar Pozhari.
Për këtë mesazh, Pozhari ka folur edhe sonte në ATV, ku ka thënë se ai është nisur nga përvoja e tij e cila nuk duhet të merret si “e vërtet absolute”.
“Sot një i ri nëse e fillon jetën, edhe nëse qëndron ajo çfarë thotë Kurti se s’mund të inkuadrohet në profilin e tij, por edhe nëse inkuadrohet në rastin më të mirë, pagën nuk e ka dinjitoze. Edhe nëse sheh të krijojë familje, ai në 10 vitet e para duhet të sheh si opsion kredinë apo qiranë. Më pas është një tjetër standard i jetesës që nuk ja lejon sigurinë që me atë pagë të mbijetojë apo të bëj jetë dinjitoze, pra duhet të shohë edhe ndonjë punë alternative. Pra, unë jam nisur nga realiteti”, ka thënë Pozhari, transmeton lajmi.net.
Tutje, Pozhari ka thënë se Kurti është në pozitën e kryeministrit për t’i ofruar alternativë rinisë, pasi që ata nuk kanë kohë të presin.
“Le të kujtohet Kurti se ai e ka shkopin magjik me 51% të cilën ja ka dhënë vota e popullit. Nëse Qeveria kërkon vazhdimisht kohë, kohë, kohë, mund të vie ajo ditë kur ne s’do të kemi kohë për me dalë me votu”, ka deklaruar Pozhari.
Përveç afërsisë së shprehur haptas të Pozharit me Kurtin e VV-në, ai ishte përfolur edhe për një punësim të gruas së tij në Këshillin Drejtues të Universitetin “Haxhi Zeka” në maj të vitit të kaluar.
Aso kohe, mediat e ndërlidhnin këtë punësim me ndikimin e pushtetit të ri, ndaj të cilit analisti Pozhari kishte shprehur përkrahjen.