Portali gjerman mdr.de ka publikuar një artikull të gjerë të njohësit të shquar të rrethanave ballkanike, Andrej Ivanji, në lidhje me gjendjen aktuale në Kosovë.
Analisti flet për gjendjen e pashpresë sociale, për varfërinë, papunësinë, izolimin dhe të këqijat tjera që i kanë zënë frymën Kosovës.
“ … por, në kryeqytet sheh fare pak nga mizerja e përgjithshme sociale. Sigurisht, fasadat e ndërtesave janë të vjetruara, rrugëz në gjendje të keqe, ka me qindra ndërtime të egra dhe në çdo kënd sheh lypës. Mirëpo atmosfera është e këndshme, e gjallë. Të rinjtë janë modernë, të veshur sipas mënyrës perëndimore, vajzat bartin fustane të shkurtër”, thuhet në artikull.
“Vetëm rrallë e tek do të shohësh ndonjë grua me mbulesë koke. Me hixhab ose niqab. Ose madje edhe me burka”.
Lufta e shqiptarëve të Kosovës kundër Serbisë, një luftë e pastër për çlirim nacional
Pikërisht këto, gratë e veshura sipas rregullave strikte të islamit, përbëjnë një fenomen të ri në Kosovë. Vendi ka qenë në mënyrë të theksuar gjithmonë sekular. Dhe këtu, autori tërheq një paralele interesante duke nënvizuar karakterin thjesht kombëtar të luftës së shqiptarëve për çlirimin e Kosovës.
“Në kundërshtim me luftërat në Kroaci dhe në Bosnjë pas shpërbërjes së Jugosllavisë në vitin 1991, lufta çlirimtare e shqiptarëve në Kosovë ishte e drejtuar kundër shtypjes nga ana e Serbisë e vetëm fare pak kishte të bënte me religjionin. Ishte një konflikt etnik, bëhej fjalë për të drejtat qytetare dhe për vetëvendosje. Edhe në rastet kur, sipas një sondazhi të bërë në vitin 2001(në fakt, regjistrimi), 95.61 e popullatës së Kosovës deklaroheshin si besimtarë myslimanë, islami për shqiptarët nuk ka pasur kurrë rëndësi qendrore ose mbizotëruese. Ai hyri vetëm më vonë dhe çdo herë e më shumë në shoqërinë kosovare”, tërheq vëmendjen artikulli i mdr.de.
Pavarësinë e saj, Kosova e ka siguruar falë perëndimit, para së gjithash SHBA-së. Në qendër të Prishtinës qëndron një monument i ish presidentit amerikan, Bill Clinton, i cili kishte udhëhequr perëndimin në luftën e Kosovës.
Më tutje vazhdon autori të rrëfejë rrjedhën që morën zhvillimet historike me bombardimin e Serbisë nga NATO-ja, kapitullimin e Serbisë, marshimin e KFOR-it në Kosovë… Pritjet e kosovarëve ishin të mëdha se po shkohej me shpejtësi drejt Bashkimit Evropian.
Shpallja e pavarësisë 8 vite më vonë ngjall sërish një valë euforie ndër kosovarët. Por, ata u zhgënjyen. Deri tash BE-ja nuk e ka bërë madje as liberalizimin e vizave për Kosovën dhe madje një numër i shteteve të BE-së ende AS nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e të mos flitet pastaj për negociatat për hyrje në BE- dhe mjerimi social shtyp gjithnjë më ashpër. Ngjashëm si në Serbi, Bosnjë Maqedoni dhe në Shqipëri, edhe në Kosovë sa vjen e po humbet besimi në BE-në.
Thaçi: Hahn po kujdeset vetëm për Serbinë
Komisari i BE-së për negociata të zgjerimit, Johannes Hahn “po kujdeset vetëm për Serbinë”, ankohej presidenti i ri i Kosovës, Hashim Thaçi. Dhe pikërisht për Serbinë, një shtet i cili Kosovën e konsideron si pjesë të veten, si territor serb…!
Kosova me 1.8 milion banorët e saj është njëri ndër shtetet më të varfra dhe më të prapambetura në Ballkan. Klasa politike , cilado që e ka udhëhequr deri tash, është cilësuar si e korruptuar. Populli e ka humbur besimin dhe shprehet se nuk beson në ndryshime pozitive…
Më tutje, në artikull thuhet se zhgënjimi me BE-në ka lënë mbrapa një vakum të cilin po e shfrytëzojnë vendet si Turqia ose Arabia Saudite.
Ndërkohë që nga njëra anë, ideja e një ‘Shqipërie të Madhe’ po shprehet gjithnjë më zëshëm, në anën tjetër islami po fiton gjithnjë më shumë rëndësi në jetën publike të Kosovës.
Dhe jo vetëm islami i moderuar por edhe ai radikal. Vëmendjen e perëndimit për një “islamizim” të Kosovës e ka ngritur në fillim të vitit 2017 një artikull i publikuar në “New York Times”. Aty thuhet se imamët radikalë sauditë përmes organizatave islamike humanitare dhe ndërtimit të xhamive po e përhapin në Kosovë vahabizmin, se po i mësojnë dhe rekrutojnë kosovarët e rinj për xhihad. E gjithë kjo maskohet nën petkun e ndihmës sociale në emër të të cilave Arabia Saudite po derdh miliona euro në vendin me shoqëri të shkatërruar.
Më tutje citohet Fatos Makolli, drejtor i agjencisë kosovare kundër terrorizmit lidhur me gjykimin e një numri imamësh të akuzuar për përhapje të islamit politik.
Trend i rrezikshëm i ndryshimit të identitetit, nga nacional në atë fetar!
“Islami në fakt nuk ka rrënjë kulturore në Kosovë. Por ndërkohë në vend janë 700 xhamia të cilave u shtohen edhe shkollat ku ligjërohet Kurani. Si pasojë e frustrimit që po mbretëron me vite, gjithnjë më shumë njerëz i drejtohen islamit, disa syresh edhe ndikimit saudit, islamit radikal, vahabizmit.
Sipas vlerësimeve, rreth 50 mijë kosovarë pa asnjë dyshim mund të llogariten si ithtarë të islamit radikal, thuhet në artikull.
Trendi tregon se gjithnjë më shumë shqiptarë myslimanë identifikohen në radhë të parë si myslimanë dhe vetëm pastaj si shqiptarë. Kjo paraqet një ndryshim të madh identiteti në popullsinë sekulare e cila njëherë për një herë ende si fshehurazi po ndahet nga vlerat perëndimore.